Një ditë pas mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama mblodhi këtë të hënë në Kryesinë Kuvenit Grupin Parlamentar.
Në mbledhje, përveç deputetëve socialistë kanë qenë edhe ministrat e vjetër si dhe ata të rinjtë të cilët u propozuan nga vetë kreu i qeverisë ditën e djeshme.
Mësohet se në mbledhjen e sonte socialistët diskutuan lidhur me ndryshimet në Qeveri dhe Kuvend si dhe për përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Rama në takim sikurse edhe dje në Kongres ka patur një sërë kritikash për deputetët e tij duke u thënë se disa prej tyre nuk e kanë bërë punën ashtu si duhet dhe nuk meritojnë të jenë në Kuvend.
Për këtë arsye ai u është drejtuar atyre duke i thënë se nga sot deri në prillin e vitit të ardhshëm do të jenë të test për një vend në listat e kandidatëve për deputet.
Në mbledhje nuk ishte Ervin Mete, i cili u hoq nga drejtimi i ministrisë së Financave.
Ndërkohë seanca e jashtëzakonshme parlamentare që pritej të zhvillohej sot në orën 18:00, ku do të votohej kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe do të kalonin dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ministrat e rinj të qeverisë Rama, është shtyrë për ditën e nesërme.
Deputetët e PS u njoftuan në mbledhjen e grupit se seanca do të shtyhet për nesër për shkak se Presidenti ende nuk i ka dekretuar ndryshimet në qeveri.
Presidenca ka bërë me dije se ndryshimet në qeveri janë në proces verifikimi, ndërsa kryeministri Rama u ka kërkuar deputetëve që të rrinë në gatishmëri për çdo orë kur mund të thirren.
Në mbledhjen ku ka folur vetëm Rama, shefi i qeverisë ka falënderuar ministrat e ndryshuar dhe të larguar për punën e bërë, por tashmë mësohet të ketë thënë ai është koha për të forcuar punën në Parlament.
Sakaq, ditën e djeshme kryeministri tregoi nxitim për të dorëzuar personalisht në Presidencë dekretet për ndryshimet e reja në qeveri, pak pas përfundimit të Kongresit të Partisë Socialiste.
Ndryshimet në qeveri që u shpallën në Kongres:
Ministria e Brendshme – Largohet Taulant Balla, vjen Ervin Hoxha
Ministria e Financave – Largohet Ervin Mete, vjen Petrit Malaj
Ministria e Mbrojtjes – Largohet Niko Peleshi, vjen Pirro Vengu
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Largohet Elisa Spiropali, vjen Taulant Balla
Lini një Përgjigje