TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Tetor 2023, 13:26

Mazhoranca përjashtoi 23 deputetë nga Parlamenti, zbardhet “skenari” i grupit Bardhi-Berisha për seancën e nesërme

Shkruar nga Pamfleti

Mazhoranca përjashtoi 23 deputetë nga Parlamenti, zbardhet

Herën e fundit që deputetët e përjashtuar të opozitës tentuan të futen me forcë në Kuvend, nuk u lejuan nga garda e cila u vendos në hyrjen kryesore të Parlamentit. 

Në seancën e fundit parlamentare 23 deputet të opozitës u përjashtuan për 11 ditë, për shkak të bllokimit që i bënë Kuvendit në kuadër të aksionit të ri opozitar. Por pavarësisht se Parlamenti i ka përjashtuar për 11 ditë shumë prej deputetëve të Bardhi-Berisha, janë shprehur të vendosur për të shkuar në parlament në seancën e radhës.

Ndërkohë që seanca e radhës është parashikuar për ditën e hënë në orën 17:00, grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur që të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të mblidhen para ndërtesës së Parlamentit në orën 16:30 minuta.

Mësohet se mesazhin e ka dërguar Gazment Bardhi i cili u ka kërkuar deputetëve të Rithemelimit, mbështetësve te tij dhe aleatëve për shkuar në seancën e nesërme plenare në Kuvend.

Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 Tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, shkruhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve të Rithemelimit.

Ende nuk dihet se çfarë plani kanë deputetët e opozitës për tu bërë pjesë e seancës së nesërme parlamentare, apo se çfarë skenarësh mund të krijohen në hyrje të parlamentit.

Herën e fundit që deputetët e përjashtuar të opozitës tentuan të futen me forcë në Kuvend, nuk u lejuan nga garda e cila u vendos në hyrjen kryesore të parlamentit. Ndërkohë pas pak minutash përplasje dhe shtyrjesh me trupat e gardës, deputetët e opozitës u larguan nga hyrja e Kuvendit.

Gjithsesi ditën e nesërme mbetet për tu parë nëse do të veprohet në të njëjtën mënyrë, apo këtë radhë është menduar ndonjë aksion tjetër./Pamfleti

bardhi opozita kuvendi

Lini një Përgjigje