Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes në Konferencën e Kryetarëve mes PS e Rithemelimit për t’i dhënë fund kaosit në Kuvend dhe për të pranuar kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, King-Smith thotë se kompromiset politike kërkojnë guxim dhe vendosmëri.
Ai tha gjithashtu se ishte i kënaqur të shihte sot Parlamentin shqiptar që t’i kthehej normalitetit, në interesin më të mirë të qytetarëve.
'E di që kompromiset politike janë të vështira dhe kërkojnë guxim dhe vendosmëri. I kënaqur që shoh progresin e vazhdueshëm sot drejt rikthimit të një parlamenti normal, funksional, i cili është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe perspektivës së ardhshme të Shqipërisë.', shkruan Smith.
PS dhe Rithemelimi kanë arritur sot marrëveshjen për ngritjen e dy komisioneve hetimore konkretisht për koncesionet në shëndetësi dhe për nxjerrjen e të dhënave të sistemit TIMS.
Mësohet se komisionet do kenë në përbërje 15 anëtarë në total, emrat e të cilëve do të bëhen me dije ditën e nesërme. Pritet që komisionet të kenë një afat kohor prej 4 muajsh secili.
Në një deklaratë për mediat kreu i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi bëri me dije se përveç miratimit të 2 komisioneve hetimore, janë dakordësuar me grupin e Rithemelimit për ngritjen e një grupi pune për ligjet që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar.
“Ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5-t dhe janë pjesë e agjendës së integrimit evropian. Emrat do të miratohen javën tjetër. Ne mandatuam që brenda komisionit të ligjeve të ngrihet një grup pune me numër të barabartë dhe konsensus”,– u shpreh Çuçi.
Dakordësia e arritur për ngritjen e komisioneve pritet t’i japë fund kaosit të krijuar nga Rithemelimi prej 5 muajsh.
Lini një Përgjigje