Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas manovrave të ministrit Ferit Hoxha, për të mbulur skandalin me fyerjet ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Hoxha priti sot në një takim Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe kryetar i Komunës së Çairit, pra një takim i stisur për të mbuluar skandalin.
Bardhi argumenton se çështja nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa pasur përgjegjësi politike, veçanërisht në një moment kur, sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përballen me sfida të ndryshme.
Në reagimin e tij, Bardhi kritikon edhe mënyrën si është menaxhuar situata nga ministri Hoxha, duke pretenduar se ka pasur qëndrime kontradiktore lidhur me autenticitetin e mesazhit dhe përpjekje për ta relativizuar çështjen përmes takimeve publike.
Më tej, ai shpreh shqetësim për mungesën e reagimit nga ana e kryeministrit Edi Rama, duke e interpretuar këtë si një qëndrim që shkon përtej individit dhe prek linjën politike të qeverisë.
Reagimi i plotë:
Fyerja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si “idiotë”, nuk mund të jetë kurrë një çështje e tejkaluar, pa mbajtur përgjegjësi politike. Ky cilësim nga ministri përgjegjës për politikën e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, vjen në një kohë ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me shumë sfida dhe përbën një shkelje të rëndë të detyrimeve kushtetuese që kanë autoritetet shqiptare në Republikën e Shqipërisë, ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufirit shtetërorë.
Mungesa e reflektimit nga ana e Ministrit Ferit Hoxha, nuk mund të kalohet me takime të stisura, ku mysafirët as nuk lejohen të përgjigjen lirisht. Fillimisht gënjeu që sms ishte e fabrikuar, më pas u detyrua të fshinte, më pas të dilte nga grupi në Whatsapp, dhe sot kishte stisur një takim për të bindur shqiptarët se është një çështje e tejkaluar. Të gjitha këto veprime konfirmojnë se është duke vepruar nën panik dhe nën peshën e përgjegjësisë së munguar.
Akoma më shqetësuese është heshtja e Kryeministrit Edi Rama, duke provuar se cilësimi i Ministrit Ferit Hoxha ndaj shqiptarëve nuk është personal, por linjë shtetërore e qeverisë së Edi Ramës. Kjo është më shumë se e papranueshme.
Ministri Ferit Hoxha do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, që përkon te jetë i njëjtë me qëndrimin e Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç ndaj shqiptarëve. Në krye të Ministrisë për Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nuk mund të qëndrojë asnjë minut as Nikolla Pashiqi dhe as Vasa Çubrilloviçi, pavarësisht se në publik prezantohet si Ferit Hoxha apo Edi Rama!
Lini një Përgjigje