
Partia Demokratike, përmes një shkrese drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kërkon përfaqësimin në seancën e 16 tetorit që do të mbahet në Kushtetuese mbi interpretimin e përfundimit të mandatit të anëtarëve të kësaj Gjykate.
Në kërkesën e firmosur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, kërkohet që përfaqësues i PD-së në këtë mbledhje të jetë Marash Logu, i cili është edhe këshilltari ligjor i Grupit Parlamentar të PD-së.
PD ka kërkuar që Logu të akreditohet në mënyrë që seanca për shqyrtimin e afateve të mandateve të Gjykatës Kushtetuese, të jetë gjithëpërfshirëse dhe e hapur.

Logu sipas shkresës së firmosur nga Bardhi, duhet t’i bashkohet përfaqësuesve të autorizuar nga Kuvendi për këtë seancë.
Kushtetuesja u vu në lëvizje nga Presidenti Bajram Begaj, i cili kërkoi nga kjo gjykatë një interpretim lidhur me afatin se kur përfundon mandati i një anëtari. Debati lindi për mandatin e Holta Zaçaj, e cila mori detyrën me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës. Zaçaj pretendoi se po i ndërpritej mandati, pra pa i dhënë mundësinë që të ushtronte atë në kohë të plotë (9 vite), ndërsa iu la mundësia për ushtrimin 3-vjeçar të mandatit.
“Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se mandati i Gjyqtarit Kushtetues fillon në datën e kryerjes së betimit dhe mbaron, për gjyqtarët fillestarë, sipas rastit, tetë ose nëntë vjet më pas. Në kushtet e emërimit me vonesë të gjyqtarëve fillestarë, zbatimi i kësaj dispozite e asgjëson parimin e përtëritjes së pjesshme, si në vitin 2025, ashtu dhe në vitin 2028 apo në vitin 2031.
Përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera që përkojnë me afatin e përtëritjes.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e qartëson këtë aspekt, ndërkohë që afati për deklarimin e mbarimit të këtyre mandateve është ezauruar nga Gjykata pa veprime, duke vendosur në vështirësi organet e emërtesës.
Gjykata Kushtetuese ka patur detyrimin për të krijuar qartësi të plotë rreth vendimmarrjes së saj, sikundër duhet të ishte zbatuesi i parë, i devotshëm dhe korrekt i vendimeve të veta. Në fakt, Gjykata ka preferuar që këtë përgjegjësi ta transferojë tek institucionet e tjera.
Në kushtet e mosveprimit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që i njeh ligji, mundësinë e depozitimit të një kërkese për mosmarrëveshje kompetence, për të bërë që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe shteruese ngërçin e krijuar me mekanizmin e përtëritjes së pjesshme.
Presidenti i Republikës shpreson se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese do të mund të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës, që ajo të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë sqarim, në mënyrë të tillë që të ketë vlerë për të gjithë gjyqtarët kushtetues aktualë, përndryshe nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes dhe çdo ndërhyrje për shkurtimin e mandateve të caktuara, vetëm për një ose disa gjyqtarë, do të ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës”, thuhej në kërkesën që Presidenti i drejtoi Kushtetueses.
Lini një Përgjigje