TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Shkurt 2025, 14:05

Loja e Putin shtrihet përtej mandatit të Trump, paralelisht me negociatat po përgatit një kundërsulm të ri ndaj Kievit

Shkruar nga Wolfgang Ischinger

Loja e Putin shtrihet përtej mandatit të Trump, paralelisht me

Mbi të gjitha, ne duhet jo vetëm të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën, por edhe ta rrisim atë. Kjo është mënyra ideale për të arritur një rezultat të suksesshëm për të ardhmen e një Ukrainë sovrane, të lirë dhe të pandarë, si dhe rivendosjen e sigurisë së Evropës.

Një psherëtimë lehtësimi u dëgjua në Davos pak javë më parë, kur në fund të fjalimit të tij, presidenti i SHBA-së Donald Trump, e bëri të qartë se nuk kishte ndërmend ta sakrifikonte Ukrainën.

Nëse psherëtima nuk ishte e plotë, kjo ndodhi sepse në të njëjtën kohë ai ia bëri të qartë Danimarkës, njërit prej partnerëve më të vegjël të NATO-s, se nuk e konsideron si absolut sovranitetin e saj mbi ishullin e madh të Grenlandës.

Por a po shkojmë vërtet me shpejtësi drejt fillimi të bisedimeve zyrtare SHBA-Rusi? A jemi në rrugën e negociatave mbi një armëpushim të mundshëm, apo edhe një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë, të cilat mund të përfundojnë brenda disa javësh?

Disa duket se besojnë se po. Por skepticizmi mbi këtë çështje është i justifikuar.

Ideja se gjithçka që nevojitet janë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe një linjë armëpushimi përgjatë vijës aktuale të frontit, është një mendimi i dëshiruar i Perëndimit.

E vërteta është se ne duhet të përgatitemi për një proces shumë më të gjatë dhe jashtëzakonisht kompleks, që do të zgjasë shumë muaj. Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të dojë të lërë përshtypjen se po kërcen sipas melodisë që luan Uashingtoni.

E gjithë situata e sigurisë në Evropë, heqja e sanksioneve, kontrolli i armëve bërthamore dhe atyre konvencionale dhe stabiliteti i përgjithshëm strategjik, janë që të gjitha çështje do të duhet të diskutohen.

Dhe udhëheqësi rus, që do të kërkojë një pozitë të barabartë me Trump, i di me siguri dy gjëra: që Trump do të largohet përgjithmonë nga politika në fillim të vitit 2029, dhe që presidenti aktual i SHBA-së do të dëshirojë të shmangë pothuajse me çdo kusht një konflikt ushtarak me Rusinë.

Dhe me aleancën në Evropë që mbetet e lëkundur, kjo mund të jetë një ftesë për Putinin që të zvarrisë sa më shumë negociatat. Disa përfundime fillestare nga raundet e ndryshme të bisedimeve në Davos dhe diskutimet përgatitore për Konferencën e Sigurisë së Mynihut të kësaj jave, mund të përshkruhen si më poshtë:

Së pari, sa më i lirë të jetë çmimi i armëpushimit, dhe sa më i qëndrueshëm, aq më e kushtueshme do të jetë paqja që do të pasojë. Prandaj, në asnjë rrethanë nuk duhet të zvogëlohet mbështetja për Ukrainën. Përkundrazi, ajo duhet të shtohej më tej.

Çmimi që duhet të paguajë Putin për pushtimin duhet të bëhet sa më i lartë. Nga ana tjetër, Donald Trump duhet të tregohet shumë i kujdesshëm në lidhje me kohën e një takimi kokë më kokë me Vladimir Putinin.

Një samit i hershëm, do të ishte një shpërblim krejtësisht i pamerituar për liderin rus. Ky skenar duhet të merret në konsideratë, vetëm kur të jemi pranë fundit të një procesi negociues premtues.

Për më tepër, pala ruse mund të jetë duke planifikuar një sulm të befasishëm ushtarak ose ofensivë të madhe, me qëllim që të sabotojë planet e Perëndimit mbi Ukrainën në lidhje me kuadrin e negociatave. Dhe ndërsa Perëndimi nuk duhet që t’ia lehtësojë gjërat Rusisë, nga ana tjetër duhet të ketë vend për një qasje realiste.

Për shembull, marrim idenë e shumëpërfolur për sigurimin e një linje armëpushimi nga trupat evropiane. Në këtë rast, objektivi politik është i qartë dhe logjik: do t’i lejonte Evropës t’i tregonte Trumpit, se është e përgatitur të bëjë më shumë për sigurinë e saj sesa ka bërë deri më tani.

Por Djalli fshihet tek detajet. Vlerësimet mbi numrin e trupave të nevojshme për të siguruar si duhet një linjë kontakti 1.000 kilometra të gjatë, variojnë nga 50.000 në 200.000. Shifra e fundit është përmendur nga vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Realisht, a mund ta menaxhojë politikisht ose ushtarakisht Evropa këtë proces, në një kohë që ushtria gjermane, Bundeswehr-i, e ka të vështirë të dërgojë qoftë edhe një brigadë të vetme taktike në Lituani?

Prandaj, mund të shprehen dyshime nëse Evropa do të ishte e aftë të sigurojë në mënyrë të besueshme një armëpushim me një numër të madh trupash. Pastaj duhet të merret parasysh siç duhet, edhe përfshirja e mundshme e trupave nga vendet e treta, duke përfshirë për shembull Indinë.

Nga ana e tij, Uashingtoni as që po mendon të vendosë trupa të saj në terren, një qëndrim që e shkel parimin themeltar të NATO-s, sipas të cilit rreziqet duhet të ndahen me aleatët. Gjithashtu, kjo sjellje do ta bëjë më të vështirë për qeveritë evropiane marrjen e miratimit që u nevojitet nga parlamentet e tyre.

Nga këndvështrimi i Gjermanisë, slogani ”brenda bashkë - jashtë bashkë”, ka qenë gjithmonë një parim i shëndetshëm i NATO-s. Është e rëndësishme që të mos gjejmë një zgjidhje dritëshkurtër, por të vendosim prioritete afatgjata dhe të përgatitemi për një proces negocimi të vështirë të dhimbshëm, i cili për shkak të kompleksitetit të tij ekstrem mund të zgjasë për shumë kohë.

Mbi të gjitha, ne duhet jo vetëm të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën, por edhe ta rrisim atë. Kjo është mënyra ideale për të arritur një rezultat të suksesshëm për të ardhmen e një Ukrainë sovrane, të lirë dhe të pandarë, si dhe rivendosjen e sigurisë së Evropës./Përshtati Pamfleti nga “Politico.eu”

loja e putin trump kiev

Lini një Përgjigje