
Kontrata e lobimit 6 mln dollarë e PD-së me kompaninë amerikane “Continental”, për Edvin Kullurin, është edhe produkt i pasojës kur partia përfundon në duart e një njeriu si Flamur Noka.
Kulluri, themelues i “Djathtas 1912” dhe kandidat në qarkun e Vlorës për koalicionin “Djathtas për Zhvillim” në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga studio e Report TV, tha se nuk i beson përrallat me patriot shqiptarë që paguajnë 6 milionë dollarë për lobimin e PD-së.
“Pushteti i tepërt prodhon korrupsion. Nuk i besoj përallat me patriotë dhe qytetarë shqiptarë, po të kishte patriotë do na i jepnin neve 6 mln dollarë. Çështja është e qartë, Shqipëria ka informalitet të lartë dhe mungesë ligjshmërie e institucionesh. Shifra është shumë e lartë. Kujtoj edhe batutën e mikut tim Zekthi në lidhje me kontratën e lobimit në debatin me Belind Këlliçin. i tha se: “për tërmetin shqiptarët e Amerikës mblodhën 700 mijë dollarë, kurse për PD-në dhe Berishën u mblodhën 6 mln dollarë!”, tha Kulluri.
Në lidhje me koalicionet paszgjedhore nëse do të fitonin mandate deputetësh më 11 maj, ai sqaroi se do bashkoheshin për qeverisje vetëm me parti të djathta, madje edhe me PD-në, por me kushtin e vetëm që të mos ishte Sali Berisha kryeministër apo në drejtim.
“Votat tona i bashkojmë vetëm me të djathtën, përfshi edhe PD-në, por me këtë të fundit vetëm me një kusht: Sali Berisha jo në krye të saj dhe as kryeministër. As ai dhe as Rama në qeveri. E kemi bërë të qartë dhe kemi këtë mision”, u shpreh Kulluri.
Rreth problematikave të fushatës elektorale apo nëse ka kërcënime e presione për blerje votash ndaj qytetarëve, ai tha se në Vlorë, ku dhe kandidon, nuk ekzistonte kjo problematikë.
Kulluri përshëndeti përfshirjen e SPAK me Task-Forcën për monitorimin e zgjedhjeve, pasi ashtu sikurse ligji i dekriminalizimit, ishte e nevojshme.
“Në Vlorë nuk ka kërcënime për votën, orientimin e saj, sepse në Vlorë nuk ke mundësi, ta japin përgjigjen shumë shpejt. Deri tani nuk ka pasur problematika. Elbasani ka shfaqur problematika kriminaliteti në zgjedhje. Vetëm një meritë ka Lulzim Basha, ligjin e dekriminalizimit dhe që është e vërtetë. Dhe hyrja e SPAK në zgjedhje me kontrollin ndaj blerjes së votës është pozitiv, SPAK ka prerë lidhjet e Ramës me krimin për zgjedhjet. Ka 65 mijë militantë të PS që i janë shtuar administratës aktualisht vetëm për zgjedhje dhe marrin rrogën qyl për katër vite. Po t’u jepet pensioneve kjo para rriten me të paktën 70 mijë lekë”, nënvizoi kandidati i ‘Djathtas për Zhvillim’.
Në vijim, Kulluri u shpreh se “objektivi ynë në Vlorë është 1 mandat. Objektiv tjetër kemi nga 1 mandat në Fier, Elbasan dhe deri në 2 mandate në Tiranë”.
“Kemi objektiv dhe të sigurt të paktën 3 mandate dhe deri në 6 apo 7 në total në shkallë vendi. Votimi për Djathtas për Zhvillim dhe përkrahja është e madhe dhe e dukshme. Do ketë pjesëmarrje të lartë. Nuk ka nevojë për shpenzime të mëdha në fushatë. Nëse opozita frymëzon, nuk ka grup kriminal që e ndalon popullin opozitar. Kujtoj vitin 205 kur PS kishte grupet e forta kriminale dhe PD fitoi. PS dhe Rama e kanë bërë baltë”, tha ai për Report Tv.
Lini një Përgjigje