Si konflikti mes nacionalizmit ekonomik të Trump dhe globalizmit teknologjik të Musk nxori në pah brishtësinë e sundimtarëve të rinj...
Monarkia përkufizohet si sundimi absolut i një individi, që ngjitet në fron me të drejtë hyjnore ose përmes zgjedhjes nga dikush tjetër. Që nga shpallja e pavarësisë më 1776, kur amerikanët mposhtën forcat e Mbretit Xhorxh III, SHBA ka ruajtur një qëndrim të fortë anti-monarkik.
Megjithatë, presidenti Donald Trump gjithnjë e më tepër po e prezanton veten si një sundimtar autoritar. Më shumë diktator modern se mbret tradicional, ai është kthyer në një tiran që sulmon çdo kundërshtar të tij. Monarkët zakonisht rrethohen nga oborrtarë servilë dhe dinasti familjare, duke shpërndarë privilegje dhe pasuri sipas dëshirës.
Oborrtari më i njohur i Trump ishte Elon Musk, biznesmeni që mori role të rëndësishme në administratën Trump, duke u shfaqur në evente publike dhe duke marrë në duar DOGE-në (Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë), për të reformuar burokracinë federale me masa ekstreme. Musk e bëri sharrën elektrike simbolin e tij të "pastrimit", por së fundmi duket se fuqia e saj është zbehur.
Nuk është e qartë nëse Musk u largua vullnetarisht apo u pushua në mënyrë teatrale nga Trump, por ai ka deklaruar se do të rikthehet në bizneset e tij private. Marrëdhëniet mes tyre filluan të prisheshin pas disa konflikteve publike, sidomos pas një incidenti ku Musk e quajti këshilltarin e Trump për tregtinë, Peter Navarro, "më budalla se një thes me tulla".
Ekspertët në Uashington kishin parashikuar largimin e Musk që në janar, duke dhënë tre arsye kryesore. Së pari, dy personalitete narcisiste si Trump dhe Musk e kishin të pamundur të bashkëjetonin për shkak të rivalitetit të egove. Së dyti, edhe pse stilistikisht të ngjashëm, ata vijnë nga botë të ndryshme biznesi dhe financash, që i bëri interesat e tyre të papajtueshme në afat të gjatë. Musk varet direkt nga aksionet e Teslës, ndërsa Trump nga sondazhet politike dhe tregu imobiliar.
Por arsyeja më e thellë është ajo ideologjike. Trump është një etnonacionalist që synon ri-industrializimin e Amerikës dhe rivendosjen e lavdisë së "Amerikës së bardhë". Musk, nga ana tjetër, përfaqëson një vizion teknoglobalist, pa kufij kombëtarë, që kërkon dominimin global të kapitalit privat dhe teknologjisë.
Ekonomisti i Harvardit Dani Rodrik e kishte parashikuar këtë konflikt mes nacionalizmit ekonomik dhe teknoglobalizmit: njëri kamp është populist, tjetri elitist; njëri kundër emigracionit, tjetri e mbështet atë; njëri kërkon të dobësojë Silicon Valley, tjetri ta fuqizojë.
Në këtë përplasje, humbësit janë qytetarët e zakonshëm që besuan në premtimet populiste të Trumpit. Ndërkohë që të dyja fraksionet përpiqen për dominim, një figurë tjetër po përgatitet në heshtje për të marrë drejtimin: zv/presidenti J.D. Vance. Si një politikan i ftohtë dhe llogaritës, Vance është gati të përfitojë nga çdo dobësim i Trump. Në fund, historia na mëson se çdo "monark" modern duhet të ketë kujdes nga tradhtia politike që mund t'i vijë nga ata më pranë./Pamfleti
Lini një Përgjigje