
Kryesia e PD do të bëjë përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Nga selia e PD-së, atje ku po zhvillohet mbledhja e Kryesisë, Berisha tha se sot është vendimmarrja më e rëndësishme që opozita shqiptare do të ndërmarrë, ndërsa e cilësoi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve si më transparentin.
“Këta kandidatë për deputetë kanë avantazhin sepse janë njëkohësisht përfaqësuesit e koalicionit më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria në 32 vite.
Ky koalicion që bashkon rreth 25 parti, të cilat pa PD-në, përfaqësojnë pothuaj një të tretën e elektoratit shqiptar.
Kjo përbën një avantazh të fuqishëm për aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe PD-në, një avantazh i cili ka goditur thellë në dëshpërim palën kundërshtare, që në fakt është në kaos të vërtetë”, tha Berisha.
Duke komentuar atë që sipas tij po ndodh në Partinë Socialiste, kreu demokrat theksoi se ekipi Rama-Lubi Balluku po përcakton kandidaturat tërësisht në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri.
“Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në atë parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë të botës së krimit apo kushërinj, kushërira, etj, etj.
Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve.
Kështu, në rast se Rama dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigalit. Dhe Gjiknuri u rikthye në lista.
Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër.
Mund t’u sjell edhe shembuj të tjerë plot se si famëzi Ceno Klosi përjashtoi socialistin asnjëherë të mençur, Petro Koçi. E të tjera me radhë, por nuk jemi për këtë çështje këtu”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje