
Dashnor Sula, deputeti i PD-së në Qarkun e Elbasanit, do të garojë në listat e hapura të kësaj partie. Kjo të paktën sipas kreut demokrat Sali Berisha, i cili duke iu përgjigjur mediave, tha se në dijeninë e tij, deputeti Sula nuk është përjashtuar nga procesi i kandidimit.
“Dashnor Sula është një njeri i respektuar, në dijeninë time nuk është përjashtuar nga listat e hapura”, tha Berisha.
Lajmi se deputeti i Qarkut të Elbasanit, më i votuari në primaret e 1 marsit në këtë qark ishte lënë jashtë listave të kandidatëve u pohua nga vetë Dashnor Sula. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruante se ishte përjashtuar si Spakist nga listat e kandidatëve. Sula më pas deklaroi se Sali Berisha nuk i hapte telefonin. Ende nuk dihet nëse ka një ndryshim në vendim për të hequr dhe më pas për të përfshirë Sulën në listat e kandidatëve, apo deputeti ka kërkuar përfshirjen në listën e sigurtë të Qarkut Elbasan.
Ajo që dihet është se Berisha ka folur me superlativa për Sulën, duke thënë se askush nuk mund të mohojë kontributet dhe meritat e tij, ndërsa ka pohuar se nuk ka pasur asnjë komunikim me deputetin.
Lini një Përgjigje