
Mesnatën e sotme skadon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në këto kushte dy partitë kryesore, PS e PD po i japin dorën e fundit listave, duke zhvilluar takime në selitë respektive, ndërsa në ankth mbeten emrat që shpresojnë që të paktën të përfshihen në ato që konsiderohen listat e hapura të kandidatëve.
Në selinë e PS diskutimet kanë nisur që prej mëngjesit lidhur me emrat që do të përfshihen në lista dhe që janë propozime nga Diaspora. Raportohet se të paktën 3 emra, një nga Britania e Madhe, një nga SHBA dhe një nga Kanadaja, do të jenë pjesë e listës së mbyllur të socialistëve
Ndërkohë Rama ka mbledhur në selinë e PS drejtuesit politikë në Qarqe dhe më pas ka thirrur një mbledhje të Kryesisë, për të vulosur listat e kandidatëve që më pas i përcillen KQZ.
Kryesocialisti Edi Rama është shprehur se skuadra do të përbëhet në shumicën e saj me figura të reja, përfshirë platformën ‘Deputeti që duam’ nga ku gjithashtu do të dalin emra që do të kandidojnë në listë të mbyllur.
Ndërsa deputetët që kanë më shumë se 1 mandat në parlament do të duhet të luftojnë për të fituar sa më shumë vota për veten dhe Partinë Socialiste.
Në anën tjetër, në selinë e PD-së, duket një situatë më kaotike, pasi kreu demokrat Sali Berisha jo vetëm duhet të ‘kënaqë’ emrat e votuar në primare, por në lista duhet të përfshijë edhe propozimet e aleatëve referuar marrëveshjes së nënshkruar me ta.
Gjatë ditëve të fundit kryetari i PD Sali Berisha ka zhvilluar takime me aleatët dhe është vendosur që ata të kenë 8 kandidatë në pjesën e sigurtë të listës.
Pasi ka mbyllur bisedimet me aleatët, Berisha përgjatë këtyre ditëve ka takuar drejtuesit politikë të qarqeve për të diskutuar me ta kandidatët. Por vendet e sigurta në listë janë të pakta në numër, pasi 19 drejtues politikë është vendosur më herët që do të jenë të mbrojtur.
E gjithë kjo situatë në selinë e PD po pasohet me akuza lidhur me mënyrën se si po përzgjidhen emrat në lista.
Dashnor Sula, deputet i Elbasanit në një postim në rrjetet sociale deklaroi se nuk do të jetë kandidat pasi ka mbështetur SPAK-un.
“Kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë,” mbyllet reagimi i Dashnor Sulës.
Ndërkohë të tjerë emra kanë nxituar të deklarohen se janë të gatshëm të hyjnë në listat e hapura, pasi ‘lobimet’ për të qenë në listat e mbyllura, duket se nuk ishin rezultative. Sipas burimeve në PD përplasje ka veçanërisht për Qarkun e Tiranës, lidhur me listën e mbyllur, edhe pse e gjithë loja bëhet për 1 vend që ka mbetur vakant, të cilin e pretendojnë së paku 7 emra.
Lini një Përgjigje