
Berisha nis provokimet, kërkon vend në protestë...
Sali Berisha ka hedhur taborin e tij në sulm për të përvetësuar protestën. Teksa sot shënohet dita e 42 e revoltës kundër Ramës dhe kundër kastës politike. Berisha ka hedhur sinjalin e parë se kërkon të përvetësojë tubimin.
Ka qenë Agim Nesho, ish-diplomat i Berishës dhe mbështetës i flaktë i tij, i cili përmes një komenti kërkon që Berisha të flasë në protestë.
Në analizën e tij, Nesho shprehet se protesta nuk duhet të mbajë të përjashtuar opozitën dhe se tribuna duhet të jetë e hapur edhe për drejtuesit e saj. “Veprimet që kemi parë në largimin e drejtuesve të partive dhe individëve të angazhuar politikisht prishin forcën e protestës. Tribuna duhet të jetë e hapur për ide nga të gjitha palët”, shkruan ai, duke argumentuar se protesta nuk mund t’i arrijë objektivat e saj pa u bashkuar me opozitën.
Por ky qëndrim është përplasur menjëherë me reagimet e qytetarëve, të cilët kanë kujtuar se një nga sloganet më të forta të protestës ka qenë pikërisht: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nën postimin e Neshos janë publikuar qindra komente, ku shumica dërrmuese kundërshtojnë përfshirjen e kreut të PD-së në protestë.
“Po nëse tribuna duhet të jetë e hapur për Sali Berishën, atëherë qenka e hapur edhe për Edi Ramën. Lider është edhe ai. Nëse Saliu shfaqet në protestë si lider, kjo protestë nuk ka për t’ia arritur qëllimit”, shkruan një komentues.
Një tjetër i përgjigjet Neshos: “Populli po kërkon ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Mos e deformoni protestën.”
“Revolucionin e bën rinia, o trim. Pleqtë të gëzojnë pensionin”, shkruan një qytetar, duke kundërshtuar idenë që figurat e vjetra politike të kenë rol në lëvizjen qytetare.
Një koment tjetër shprehet: “Hape krahun, lërua të rinjve. Politika e vjetër e ka mbyllur kapitullin.”
Ka edhe reagime që e shohin propozimin e Neshos si një përpjekje për të rikthyer politikën tradicionale në një protestë që është prezantuar si qytetare.
“Lëreni rininë të ecë përpara. Ju e çuat vendin në këtë gjendje. Mos e ndotni protestën”, shkruan një komentues.
Një tjetër shton: “Nuk ka vend për pleqtë aty. Protesta është e qytetarëve, jo e politikanëve”.
Në komente nuk kanë munguar as reagimet që e konsiderojnë Berishën po aq përgjegjës sa Ramën për gjendjen e vendit.
“Sali Berisha duhet të jetë i pari në burg. Ai është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes”, shkruan një qytetar.
Një tjetër thekson: “Protesta është kundër të gjithë klasës politike. Kush mendon ta kthejë në protestë partie, e ka gabim”.





Gabimi më i madh do të jete në qoftë se marrin pjesë Saliu dhe servilet e tij
Plotesisht dakord per mosperfshirjen e Berishes dhe te politikaneve altual ne proteste,por mos harroni o njerez se cdo dite ne proteste degjohet edhe zeri i ndonje PENSIONISTI PLAK. Ato jane te dytet me te prekur nga hajduteria e QENVERISE te ridhjerjes. Me pensionet SKANDAL,qe leket qe marrin as per ilacet e perditshme nuk u dalin. SHUMICA hane buke me shellfire cdo dite,i’a kane harru’ eren gjelles me mish.
Gabimi me i madh të pranosh Saline dhe servilet e tij