TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Prill 2026, 16:53

Kushtetuesja e la në burg, shpërthen Ilir Meta: Asnjë surprizë nga ‘Gjykata e Lanës’!

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja e la në burg, shpërthen Ilir Meta: Asnjë
Ilir Meta

Meta e cilësoi vendimin si të pritshëm, duke ironizuar institucionin me shprehjen “Gjykata e Lanës”

Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që refuzoi kërkesën e tij lidhur me masën e sigurisë dhe procedurën e arrestimit. Meta e konsideroi vendimin të pritshëm dhe kritikoi mënyrën si është trajtuar çështja.

“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen përtej çdo afati të arsyeshëm, sot tregoi edhe njëherë se kjo gjykatë nuk di të zhgënjejë”, u shpreh Meta.

Ai rikujtoi gjithashtu qëndrimet e mëparshme kritike ndaj këtij institucioni, duke theksuar se vlerësimin e tij për Gjykatën Kushtetuese e ka bërë publik që në vitin 2020. Meta kërkoi që të paktën të mos vonohet zbardhja e vendimit, ndërsa paralajmëroi përballje të fortë në vijim të procesit gjyqësor.

Ish-kreu i shtetit ftoi mediat dhe gazetarët të ndjekin seancën e parë të gjykimit në themel më 27 prill, si dhe seancat e tjera, ku sipas tij do të përballet me atë që e cilëson si një proces të montuar.

“Do të jem ballë për ballë me bandën që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe do të çmontojmë këtë farsë të neveritshme të drejtësisë me regji”, deklaroi Meta, duke paralajmëruar vijimin e betejës së tij ligjore.

Meta në Facebook: Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës!

Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim, vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykata nuk di të zhgënjejë.

Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020 kur këta betoheshin te Lana.

Por se paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre.

Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji.

Kushtetuesja u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e Metës dhe në fund me shumicë votash është vendosur rrëzimi i kërkesës, duke vendosur që Meta të vijojë të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Meta ka ngritur si pretendim edhe mënyrën si u ekzekutua masa e sigurimit, por sipas Kushtetueses ish-presidenti këtë argument e ka parashtruar edhe në gjykatat e tjera, dhe sipas gjykatës ai ka bërë kallëzim për kryerjen e veprimeve arbitrare në prokurorinë e Tiranës dhe çështja është nën hetime. Për këtë çështje Gjykata Kushtetuese me shumicë votash nuk e mori nën shqyrtim këtë pikë, duke qenë se nuk janë shprehur gjykatat e tjera.

 

ilir meta

Lini një Përgjigje