Pas vendimit të Bordit të Transparencës për të ulur me 4 lek çmimin e naftës, deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar mazhorancën për masat e marra ndaj rritjes së çmimeve në vend.
Braçe tha se qeveria do duhej që të kishte ndërhyrë me masa për të lehtësuar këtë ‘barrë’ ku një prej tyre mund të ishte puna nga shtëpia ose transporti publik i subvencionuar.
“Me dhemb fakti që ne, mazhoranca patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë, Bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës; Asnjë masë për të nxitur kursimin-më pak ditë pune në javë (u kujdes Zoti për këtë me Bajram, Pashkë Katolike e këtë javë Ortodokse), punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar”, tha Braçe në një postim në rrjete sociale.
Braçe ngriti edhe shqetësimin për informalitetin në tregun e karburanteve, duke sjellë raste nga qytetarët.
“Kam disa video që mi kanë çuar qytetarë, ku dëgjohen shitësit në pompë: ‘A e do faturën?!’ Po mirë ç’domethënë kjo? Për çdo shitje me pyetjen ‘A e do faturën’ dhe pa faturë, ku raportohet, si tatohet?! Nuk di! E kam për shtetin këtë,” shprehet ai.
Në postimin e tij Braçe ngriti edhe shqetësimin për faktin që shoqëria shqiptare nuk e njeh kulturën e kursimit, sepse ndonëse çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm, sërish në qarkullim sheh një numër të shtuar automjetesh
"Bordi uli çmimin tani; Nafta do kushtojë 220 lekë për litër! Natyrisht reflekton armëpushimin në Lindjen e Mesme dhe angazhimin e Iranit për të hapur ngushticën e Hormuzit! Ndërkohë më kanë bërë përshtypje dy gjëra; E para, po si ka mundësi që këto ditë me çmime të larta nafte, ka më shumë lëvizje dhe më shumë trafik??!! Na mungon shumë një ndjenjë kursimi që mban larg konsumin tonë të përditshëm nga çmimet e karburanteve dhe pranojmë të paguajmë shtrenjtë!! E dyta, më dhemb fakti që ne-maxhoranca patëm thjesht vetëm dy masa në këtë situatë-bordin dhe reduktimin me 20% të akcizës; Asnjë masë për të nxitur kursimin-më pak ditë pune në javë (u kujdes Zoti për këtë me Bajram, Pashkë Katolike e këtë javë Ortodokse), punë nga shtëpia, transport publik të subvencionuar; Po e lë mënjanë kërkesën për t’u marrë me tregun-konkurrencën në të dhe evazionin fiskal të rëndë! Kam disa video këtu që mi kanë çuar qytetarë të ndryshëm e ku dëgjohen shitësit në pompë: A e do faturën?! Po mirë ç’domethënë kjo? Për çdo shitje me pyetjen “A e do faturën” dhe pa faturë, ku raportohet, si tatohet ëëë?! Nuk di! E kam për shtetin këtë se me Luixhin kemi mbaruar punë-dëshira e tij për naftën 500 lekë litri nuk u plotësua!"- tha Erion Braçe.
Lini një Përgjigje