
Lindja e Mesme po dridhet. Ankthi është shumë i madh në të gjithë rajonin. Disa presin një luftë rajonale. Të tjerë thonë se do të ketë një Luftë të Tretë Botërore. Megjithatë, nuk jemi ende dëshmitarë të një zëri nga Kina, që të jetë proporcional me madhësinë dhe rëndësinë e këtij vendi...
Deri tani kemi parë pak ndërmjetësim dhe kaq. Në fakt, Kina është në krye të vendeve që duhet të shqetësohen më shumë për këtë rajon. E si të mos jetë? Ajo është konsumatorja më e madhe e energjisë në botë. Çdo vit, konsumon 3 herë më shumë energji se i gjithë Bashkimi Evropian, dhe thuajse 2 herë më shumë se SHBA-ja.
Kina është konsumatorja e dytë më e madh në botë e naftës pas SHBA-së, dhe konsumatorja e tretë më e madh e gazit natyror pas SHBA-së dhe Rusisë. Vitin e kaluar, ajo konsumoi 17 për qind të naftës bruto globale dhe 11 për qind të gazit natyror. Nga ana tjetër, Lindja e Mesme ka burimet më të mëdha të naftës dhe gazit në botë.
Prandaj, është e pamundur që Kina dhe rajoni të mos kenë kontakte të ngushta në lidhje me energjinë. Për rrjedhojë, gati gjysma e importeve të naftës të Kinës dhe çereku i importeve të saj të gazit vijnë nga ky rajon. Pra rezervat e naftës dhe gazit natyror të Lindjes së Mesme, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për sigurinë energjetike të Kinës.
Kësisoj, çdo zhvillim politik apo ekonomik në rajon, duhet të jetë shqetësimi kryesor për Kinën.
Por ndërkohë ka edhe një anë tjetër të medaljes:varësia e Lindjes së Mesme nga Kina në tregtinë e energjisë, është sot më e madhe se sa varësia e Kinës nga Lindja e Mesme. Pse ndodh kjo?
Sepse balanca në tregtinë e naftës dhe gazit në rajon, ka ndryshuar me shpejtësi vitet e fundit dhe pjesa e Kinës është rritur çdo vit.
Ndërsa SHBA-ja përbënte afërsisht 10 për qind të eksporteve totale të naftës në rajon një dekadë më parë, kjo shifër ra në vetëm 3.5 për qind vitin e kaluar. Ndërkohë, eksportet në kontinentin evropian mbetën relativisht të qëndrueshme, në rreth 11 për qind. Megjithatë, pjesa e Kinës u dyfishua, për të arritur në 30 për qind, nga 15 për qind.
Po ashtu, në tregun e gazit natyror, ndërsa pjesa e Evropës ra nga rreth 20 për qind në 15 për qind gjatë dekadës së fundit, ajo e Kinës u dyfishua më shumë, duke u rritur nga rreth 6 për qind në 15 për qind. Kjo varësi është edhe më e theksuar në bazë të vendit.
Kështu gjatë vitit 2023, Iraku dërgoi në Kinë 32 për qind të eksporteve të tij të naftës, Kuvajti 30 për qind, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe 25 për qind. Rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së papërpunuar të Iranit, dhe më shumë se 20 për qind e eksporteve të LNG (gazit të lëngshëm) të Katarit në vitin 2023 u dërguan në të njëjtin vend.
Pra, nëse humbin tregun kinez nuk do të duhej shumë kohë që ekonomitë e këtyre vendeve të futen në kolaps. Të nxitur nga nevoja për të tregtuar burimet e tyre energjetike në Kinë, një fuqi globale në rritje, vendet e Lindjes së Mesme po i forcojnë lidhjet e tyre me gjigantin aziatik, duke parashikuar përfitime të ndërsjella.
Për më tepër, kjo tendencë po përshpejtohet me rritjen e pakënaqësisë me politikat e SHBA-së në rajon. E vetëdijshme për mundësinë që ka, Kina po zhvillon prej vitesh marrëdhënie të ngushta me të gjitha vendet në rajon, dhe po përpiqet të rrisë ndikimin e saj ekonomik dhe strategjik.
Dhe aktivitetet e saj në Lindjen e Mesme nuk kufizohen më në sektorin e energjisë. Ajo po bashkëpunon me vendet e rajonit në fusha të ndryshme, duke përfshirë projektet në infrastrukturë, financa dhe transferimin e teknologjisë.
Ndërkohë, edhe pse distancohet nga tensionet e vështira të Lindjes së Mesme, Kina është shumë e kënaqur që rivalja e saj kryesore, SHBA-ja, është një lojtare kryesore në këto konflikte. Ajo sheh se zhvillimet në rajon, përfshirë konfliktin Izrael-Hamas, po e diskreditojnë gjithnjë e më shumë SHBA-në, por edhe që ndërvarësia e saj me vendet e rajonit, veçanërisht në fushën e energjisë, po e forcon Kinën.
Ndërsa po përpiqet të balancojë marrëdhëniet e tij me Izraelin, duke bërë thirrje për moderim dhe paqe pas thuajse çdo tensioni apo konflikti në rajon, kritika e drejtpërdrejta të Kinës ndaj Izraelit, këtë herë në lidhje me çështjen e Gazës, dhe afrimi me një pozicion më pro-palestinez së bashku me vendet e tjera në rajoni, janë hapa të llogaritur mirë nga Pekini.
Ato synojnë ruajtjen e interesave të saj strategjike në Lindjen e Mesme, të bazuara tek energjia.
Tek e fundit, duke parë qëndrimet aktuale të palëve, duket se SHBA-ja dhe Izraeli do të vazhdojnë të humbasin duke luftuar në Lindjen e Mesme, ndërsa Kina do të vazhdojë edhe për ca kohë që të fitojë pa luftuar./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Shënim: Dr.Nejat Tamzok, inxhinier i njohur në Turqi, njëherazi doktor i Shkencave Politike dhe Administrimit Publik në Universitetin e Ankarasë.
Lini një Përgjigje