SPAK po neglizhon vendimin që ka dhënë Shkalla e Parë, ku gjyqtari Erion Bani kritikoi prokurorët se nuk kanë vepruar si duhet me Beqajn.
Prokuroria e Posaçme vijon të ndjekë dy standarde sa i takon Ilir Beqajt. Vartësit e tij vijojë të dergjen burgjeve për aferën me koncesionin e sterilizimit, por ish-ministri bredh i lirë dhe shijon milionat e përvetësuara.
Ilir Rrjapaja, Klodian Rrjepaj dhe emrat e tjerë i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs duke kërkuar të rrëzohet vendimi i Gjykatës së Apelit që i la ata në burg. Por në Dhomë Këshillimi Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin, që do të thotë se ata mbeten në qeli. Ndërkohë absurdi është se arkitekti i koncesionit është i lirë. Dje ish-ministri Beqaj u paraqit në SPAK, në kuadër të masës “detyrim paraqitje”, ndërkohë gjeti kohë të përplaset dhe me gazetarët.
SPAK po neglizhon vendimin që ka dhënë Shkalla e Parë, ku gjyqtari Erion Bani kritikoi prokurorët se nuk kanë vepruar si duhet me Beqajn. Por ata nuk po ecin fare në këtë aspekt. Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë dosja tjetër, ajo e abuzimeve me fondet e BE, pasi nëse SPAK vepron si duhet, Beqaj duhet të përfundojë në qeli.
Sipas vendimit të Erion Banit, Beqaj cilësohet si përgjegjës kryesor dhe SPAK e amnistoi duke e lënë në detyrim paraqitje.
Në vendimin prej 303 faqesh për seancën e marrjes në pyetje të Beqajt më 20 nëntor në gjykatë, konstatohet se kontrata koncesionare nuk është lidhur bazuar në procedurat ligjore dhe arsyetohet se ish-ministri Beqaj ka shkelur ligjin gjatë procesit të negocimit të kontratës, duke shtuar dëmet për shtetin dhe favoret për kompanitë private.
Përplasja mes gjyqtarit Bani dhe prokurorëve të SPAK për rolin e ish-ministrit Beqaj në koncesionin problematik të sterilizimit nuk ndodh për herë të parë. Në gusht të këtij viti, emri i Beqajt mungoi në kërkesat për masë sigurie të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa Bani vlerësoi se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj tij.
Sipas gjykatës, pas hetimeve shtesë të bëra nga prokuroria duke administruar aktet e ekspertimit të telefonave të personave nën hetim, krijohet bindja se Beqaj ka qenë në dijeni të të gjitha procedurave dhe dokumentacionit që ka administruar Komisioni i Dhënies me Koncesion. Bani shkon më tej në arsyetimin e tij, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Beqaj ka cilësinë e organizatorit në këtë veprimtari kriminale të dyshuar për dhënien e koncesionit të sterilizimit fituesit të paracaktuar.
Bazuar në këto rrethana, gjykata çmon se Beqaj duhet të procedohet jo vetëm për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, por edhe për veprën penale “falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190, paragrafi i tretë, i Kodit Penal, që parashikon dënimin me burgim nga tre deri në 7 vjet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje