Ndryshimet statutore që do të miratohen nesër në Kuvendin Kombëtar të Bashës duhet të shkojnë në gjykatë dhe aty do jetë testi.
Shtatori e gjeti Partinë Demokratike sërish të ndarë. Ndonëse sot janë dhënë sinjale se mund të ketë një aleancë mes Gazmet Bardhit dhe Sali Berishës, sërish partia është e përçarë.
Lulzim Basha u rikthye si kryetar dhe ka krijuar grupin e tij. Nesër Basha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar, ku do të ndryshojë statutin dhe priten ndryshime në radhët e Këshillit Kombëtar. Por ajo që bie në sy është se Basha ka pas vetes vetëm 9 deputetë.
Mësohet se nesër do të jenë në Kuvend: Lulzim Basha, Oriola Pampuri, Andia Ulliri, Merita Bakiu, Kreshnik Çollaku, Flutura Açka, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari. Pjesa tjetër e deputetëve nuk e njohin Bashën dhe kanë refuzuar të bashkohen me të.
Por deputetët që i kanë dalë kundër Bashës, janë të ndarë në 3 klane. Në njërin krah është grupi i Berishës, në krahun tjetër grupi i Bardhit, i cili ka mbështetjen e deputetëve Korreshi, Gështenja apo Sula.
Ndërkohë është dhe një grup asnjanës. Janë një numër shumë i madh deputetësh që nuk mbështesin asnjërin, si Bashën, ashtu dhe Berishën me Bardhin. Pra janë 4 klane.
Ndërkohë sot u bë e ditur se Bardhi me Berishën po negociojnë që të bëhen bashkë duke u shkrirë në një grup parlamentar. Berisha dhe deputetët pranë tij rezultojnë si të pavarur në Kuvend dhe Bardhi ka në plan t’i afrojë në grup, ndonëse janë përjashtuar.
Ndërkohë mësohet se pjesë e grupit mund të bëhen dhe deputetët e PL. Është folur gjatë ditët e fundit se Meta e Berisha mund të dalin me një grup parlamentar dhe duket se në lojë ka hyrë Bardhi.
Sido që të venë punët, qoftë nesër në Kuvendin e Bashës, ashtu dhe në negociatat Bardhi-Berisha, e sigurt është që kriza në PD do vijojë gjatë. Sinjalet janë se gjithçka do të përfundojë në gjykatë. Ndryshimet statutore që do të miratohen nesër në Kuvend duhet të shkojnë në gjykatë dhe aty do jetë testi.
Nëse gjykata i pranon, sikundër ndodhi një vit më parë me statutin e Berishës, me shumë mundësi grupi i Bardhit do bëjë apelim. Ky i fundit madje ka paralajmëruar se do kërkojë që Basha të çregjistrohet si kryetar. Pra me pak fjalë, kjo krizë nuk do ketë fund. /Pamfleti
Lini një Përgjigje