
Nesër pritet që Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, të mbledhë Kuvendin Kombëtar në orën 10:00 në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’.
Në këtë mbledhje Basha përveç ndryshimit të statutit të PD-së, pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë Kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë.
Thënë ndryshe, nesër Basha do të bëjë hapin final që do të kulmojë rikthimin e tij në krye të PD-së, atë të pastrimit të partisë nga kritikët e mbetur. Kjo do t’i japë më në fund dorë të lirë Bashës në vendimet dhe veprimet e së ardhmes.
Gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtarë të PD-së pritet të mbahen disa fjalime ku ndër to është planifikuar dhe një fjalim i gjatë i Lulzim Bashës.
Pas fjalës së Bashës, do të prezantohen ndryshimet statutore dhe fillimisht do të jetë Komisioni i Ndryshimeve Statutore që do sqarojë ndryshimet e bëra ndërsa në vijim do të votohet me ngritje kartoni për këto ndryshime nga delegatët.
Nesër po ashtu do të votohet Këshilli i ri Kombëtar dhe teksa do të ketë fjalime të hapura njëkohësisht do të votohet. Kuvendi i të shtunës, nuk do të thërrasë 7646 delegatët që ky organ i PD kishte përpara ndarjes së demokratëve. Listat, sikurse ndodhi me Këshillin Kombëtar do të pastrohen nga berishistët dhe me rifreskimet e bëra në Kuvend do të marrin pjesë rreth 5000 delegatë nga rreth 7000 që kanë qenë.
Lini një Përgjigje