TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Janar 2024, 10:58

Kreu i SPAK paralajmëron të korruptuarit e politikës: Jemi çdo ditë në luftë, s'ka më të paprekshëm

Shkruar nga Pamfleti
Kreu i SPAK paralajmëron të korruptuarit e politikës: Jemi
Alin Dumani

Thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë, sipas kreut të SPAK, është e lodhshme, por jo e pamundur.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ditën e sotme ka zhvilluar një takim në Universitetin e Shkodrës, ku ka folur mbi luftën kundër korrupsionit.

Ai i ka dhënë një paralajmërim të fortë edhe politikës, ku theksoi se tani nuk ka më të paprekshëm që janë të përfshirë në krime dhe korrupsion, dhe për këtë janë dhënë raste të qarta.

Dumani tha se ata janë përpjekur që pjesë e SPAK të bëhen persona me integritet dhe koha do ta tregojë punën që po bën kjo Prokurori.

Thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë, sipas kreut të SPAK, është e lodhshme, por jo e pamundur.

'SPAK në dhjetor bëri 4 vjet nga krijimi. Ai është bërë funksional vetëm vitin e kaluar pasi u plotësua organika. I kushtojmë rëndësi kryesore integritetit. Duhet të kesh vlera profesionale dhe integritet në detyrat e mëparshme. I nënshtrohemi vettingut, heqim dorë nga privatësia, kemi dorëzuar e-mail, numrin e telefonit, e çdo gjë tjetër. Ndërsa drejtuesit e BKH i nënshtrohen edhe testit të poligrafit.

Mirë ka bërë ligjvënësi që ka vënë këto kritere. Jemi përpjekur të vendosim njerez me integritet. Koha do ta tregojë pasi jo çdo gjë shkon vaj. Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë dhe lidhjeve edhe me politikën. Jemi përditë në këtë luftë. Kemi dhënë shenja. Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelt të lartë.  Po tentojmë të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë. Është e lodhshme, por jo e pamundur.', tha Dumani.

Në takimin që u zhvillua pa praninë e kamerave, Dumani theksoi po ashtu se SPAK i ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me grupet kriminale.

“Kemi kapacitet për t’u përballur me grupet e strukturuara kriminale, kemi dhënë prova. Ne çdo ditë hetojmë, marrim persona nën hetim. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale. Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji”., tha ai.

Kreu i SPAK, gjithashtu i ka dërguar edhe një mesazh indirekt mazhorancës, pas planit të kryeministrit Edi Rama për të ngritur një komision ad hoc, i cili do të kontrollojë institucionet që varen nga Kuvendi, përfshirë dhe SPAK.

Ai theksoi se SPAK si institucion është i pavarur për shkak të fuqisë që i ka dhënë Kushtetuta e vendit, mirëpo nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një “flirtimi me pushtetin”.

Ai tha se kjo pavarësi për të cilët po flitet e që është vënë shpeshherë në dyshim, është fakt, mirëpo e gjitha varet nga integriteti i secilit prokuror apo gjykatës.

“Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit duket legjislacion i mirë dhe struktura të specializuara dhe këto struktura. Ne kemi pavarësi totale të garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Mirëpo, gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës, mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin”, tha Dumani.

Bashkëbisedimi në fjalë u mbajt në Universitetin e Shkodrës dhe vjen në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për luftën kundër korrupsionit./ Pamfleti

alin dumani spak

Lini një Përgjigje