TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Tetor 2024, 19:16

Komuniteti Mysliman dorëzohet përballë Erdoganit? “Ngre në qiell” Ramën dhe liderin turk për xhaminë e Namazgjasë!

Shkruar nga Pamfleti
Komuniteti Mysliman dorëzohet përballë Erdoganit? “Ngre
Erdogan dhe kreu i KMSH, Bujar Spahiu

KMSH u thur lavde Erdoganit dhe Edi Ramës, duke thënë se pa ta sot nuk do të ishte në këmbë kjo xhami...

Komuniteti Mysliman Shqiptar duket se është dorëzuar përballë Erdoganit. Edhe pse presidenti turk nuk ka lënë gur pa lëvizur për të ndërhyrë aty, teksa i ka sulmuar dhe anatemuar përmes benjaminëve të tij, KMSH ka dalë sot me një deklaratë të pazakontë.

Komuniteti Mysliman njofton se ditën e enjte do të bëhet inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë. Në këtë ditë do të vijë në Tiranë presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Xhamia ka vite që ka përfunduar, por inaugurimi ishte bllokuar pikërisht sepse Erdogan nuk kishte besim te KMSH. Ai vetë dhe njerëz pranë tij e cilësojnë si gylenist, Bujar Spahiun dhe për këtë arsye ishte bllokuar inaugurimi. Por duket se palët kanë rënë dakord që të krijojnë një ekip të përbashkët, që do të drejtojë xhaminë.

Ndërkohë ajo që bie në sy është se KMSH i thur lavde Erdoganit dhe Edi Ramës, duke thënë se pa ta sot nuk do të ishte në këmbë kjo xhami. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por duket si një lloj gjunjëzimi përballë presioneve të Erdoganit. Ndërkohë vetë Bujar Spahiu ka vendosur të mos marrë pjesë në atë inaugurim dhe do të dërgojë Myftiun e Tiranës.

Një ditë më parë dolën dhe zëra që Erdogan do të sjellë një myfti nga Turqia për të drejtuar xhaminë, kjo sepse nuk pranon ta drejtojë një përfaqësues i KMSH. Por mbetet të shohim të enjten se çfarë do të ndodhë.

Njoftimi i KMSH

Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.

Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.

Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!

Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024.

Lini një Përgjigje