
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) i dha të drejtë Kuvendit duke i lejuar të miratojë projektligjin e ashtuquajtur “Paketa e Maleve”, i kritikuar nga ekspertët si projektligj klientelist dhe konsideruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si me ndikim për zgjedhjet nëse miratohet në këtë periudhë.
“Me shumicë votash u vendos pranimi i pjesshëm i ankimit të Kuvendit”, u shpreh KAS duke shfuqizuar vendimin e datës 11 shkurt të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili e vlerësoi me efekte politike miratimin e këtij projektligji në periudhën para zgjedhjeve.
“Miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale”, tha Celbashi.
Kuvendi ankimoi vendimin e KQZ-së në KAS duke e argumentuar se nisma nuk krijonte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.
Në seancën e sotme para KAS, Drejtoresha e Shërbimit Juridik të Kuvendit, Mimoza Arbi, u shpreh se vendimi i KQZ-së ka një tejkalim kompetencash ligjore dhe cenon ndarjen e pushteteve duke kufizuar të drejtën e Kuvendit për të shqyrtuar projektligje.
“Komisioneri nuk mund të kufizojë kompetencat apo funksionet bazike të Kuvendit të dhëna nga Kushtetuta. Rekomandimet e Komisionerit nuk mund të prevalojnë kompetencat kushtetuese të Kuvendit. Cenohet edhe pavarësia institucionale e nëpërmjet këtij rekomandimi”, theksoi Mimoza Arbi.
Bashkë me paketën e maleve, KAS i lejoi Kuvendit edhe ndryshimet në skemën e TVSH-së për bujqësinë, pasi nuk shkel rregullat parazgjedhore.
“Paketa e Maleve” është pritur me kundërshti edhe nga organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë të fushës. Ata rendisin mungesën e transparencës, klientelizmin dhe shmangien e procedurave të rregullta ligjore për këtë nismë.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bllokoi një tjetër iniciativë të Kuvendit. Ai ka kërkuar të mos miratohet nisma e Nasip Naços që ju lejon të burgosurve me më pak se 2 vite e muaj dënim, të dalin nga qelia dhe të punojnë.
Lini një Përgjigje