
Mesnatën e 12 marsit skadon afati që partitë politike apo koalicionet kanë për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në KQZ. Gjatë ditës së sotme në selinë e PD janë zhvilluar takime mes drejtuesve të partive aleate dhe të mandatuarve nga Sali Berisha për përmbylljen e listave. Në kampin opozitar duket se ka një amulli sa i takon emrave që do të përfshihen, ndërsa rezultatet e primareve mund të rezultojnë aspak të rëndësishme, pasi shumë nga emrat që renditen të parët sipas qarqeve, mund të përfundojnë në listën e hapur.
Në anën tjetër, në Partinë Socialiste duket se ka një ‘revoltë’ të heshtur nga deputetët që e shohin veten ose në listën e hapur ose rrezikojnë të mos bëhen pjesë e garës. I pari që duket se është bërë kurban i rregullit se kush ka qoftë edhe 1 mandat deputeti do të jetë në listë të hapur ishte Petro Koçi. Ky i fundit njoftoi publikisht se nuk do të kandidonte.
Ndërkohë dy partitë kryesore, PS dhe PD kanë plaifikuar që dorën e fundit listave të kandidatëve t’ua japin pasditen e së mërkurës, pak orë përpara se të mbyllet afati.
Berisha ka planifikuar një mbledhje të Kryesisë dhe më pas të Këshillit Kombëtar. Kryesia do të mblidhet në orën 17:00 dhe Këshilli Kombëtar në orën 19:00.
Ndërkohë Rama ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së PS në orën 19:00. Si Rama ashtu edhe Berisha kanë deklaruar se listat do të miratohen nga forumet drejtuese respektive, në PS nga Kryesia dhe në PD nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar. Por gjithçka duket si një farsë, pasi listat pothuajse janë paracaktuar ku në listat e mbyllura ose të sigurta, qoftë Rama ashtu edhe Berisha, do të vendosin ‘besnikët’ e tyre.
Beteja do të bëhet për listat e hapura, ku qarku më i lakmuar mbetet Tirana, ku secila palë synon të marrë sa më shumë mandate. Në Tiranë listat e mbyllura përfshijnë 12 emra dhe varësisht nga numri i mandative që do të fitojë secila parti, mund të shpresojnë për të hyrë në Kuvend, duke iu referuar votave preferenciale.
Lini një Përgjigje