
Vendimi i SPAK për të marrë të pandehur Ilir Metën ka bërë bujë në mediat e huaja. “Associated Press”, ka bërë një artikull të gjatë, teksa ky artikull më pas është pasqyruar në shumë media të tjera të huaja, përfshirë “Wshington post”. Sipas artikullit, ai rrezikon 12 vite burg, teksa theksi vihet te fakti se Meta ka mbajtur çdo lloj posti të mundshëm.
Lajmi i plotë
Ish-Presidenti shqiptar Ilir Meta është zyrtarisht nën akuzë për korrupsion, pastrim parash, evazion fiskal dhe fshehje pasurie, njoftoi avokati i tij të martën.
Akuzat iu komunikuan Metës përmes një raporti prej 192 faqesh të hartuar nga prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila merret me çështje që përfshijnë zyrtarë të lartë politikë dhe shtetërorë, sipas avokatit Kujtim Cakrani.
Meta, 56 vjeç, themelues i Partisë së Lirisë me orientim të majtë, u arrestua në tetor.
Në një postim në Facebook, Meta shkroi se “mezi pret fillimin e gjyqit, i cili do të jetë publik dhe do t’i tregojë botës” se SPAK është një marionetë në duart e Kryeministrit Edi Rama. Ai gjithashtu e cilësoi SPAK-un si një “task-forcë anti-opozitë” të Ramës.
Partia Socialiste në pushtet e Ramës fitoi me një rezultat dërrmues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke siguruar 83 mandate në parlamentin prej 140 vendesh.
Meta, i cili ka shërbyer si president nga viti 2017 deri në 2022, ka qenë një kritik i ashpër i Ramës dhe e ka cilësuar çështjen ndaj tij si një sulm politik të motivuar kundër një lideri të opozitës.
Nëse shpallet fajtor, Meta përballet me një dënim deri në 12 vite burg.
Ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi – deputete dhe ish-kryetare e Partisë së Lirisë – gjithashtu akuzohet për të njëjtat vepra penale. Dy persona të tjerë të lidhur me këtë çështje janë akuzuar për pastrim parash dhe korrupsion.
Meta ka mbajtur thuajse të gjitha postet më të larta në Shqipërinë post-komuniste, duke filluar si deputet, për të vijuar si ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, zëvendëskryeministër, kryeministër, kryetar Kuvendi dhe më pas president.
Prokurorët thonë se gjatë kohës që ishte ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Meta ka abuzuar me detyrën për të ndikuar në biznese të ndryshme, nga të cilat ai dhe Kryemadhi kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Meta gjithashtu akuzohet për mosjustifikimin e afro 460 mijë dollarëve (404 mijë euro) të shpenzuara për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen gjithashtu për blerje pasurish me para të përfituara në mënyrë të paligjshme, apo për mosdeklarim të shpenzimeve personale shëndetësore.
Shqipëria, e cila ka nisur negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, është përballur për dekada me korrupsion, i cili ka penguar zhvillimin demokratik, ekonomik dhe social të vendit.
Institucionet e drejtësisë të krijuara me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve kanë nisur disa hetime ndaj ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë, të akuzuar për përfshirje në afera korruptive.
Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër – aktualisht deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike, forca kryesore opozitare – është gjithashtu nën akuzë për korrupsion dhe po pret të dalë në gjyq.
Lini një Përgjigje