
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është pyetur në një emision nëse Gazment Bardhi mund të jetë pasardhës i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.
Tabaku tha me shkak se është në konflikt interesi me të, teksa e vlerësoi, por u shpreh se ato që ka gabim ja ka vënë në dukje.
“Ne jemi në kohën që nuk mund të vazhdojmë me përjashtime, me anulime, me largime. Nuk e kemi luksin të përsërisim të njëjtën retorikë. Unë kam një konflikt interesi se Bardhin e kam edhe mik. Është një politikan me integritet. Ka dhënë shumë kontribute në Partinë Demokratike. Jemi miq! Kemi luksin që me njëri-tjetrin të biem dakord edhe të mos biem dakord. Shumëkush nuk e di që shumë gjëra që janë prodhuar në PD, i ka prodhuar Bardhi. Ka qenë në prapaskenë, ka qenë modest, tani është në krye. Kam edhe luksin t’i them nëse diçka nuk shkon”, tha ajo.
Tabaku u pyet në emisionin “Kjo Javë” edhe mbi zërat se ajo mund të ishte një kandidate e denjë për kryeministre. Deputetja u shpreh se kjo duhet t’i lihet kohës, duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Në qershor të vitit të shkuar dhashë dorëheqjen si zv/kryetare e Partisë nga ajo që kishte mbetur dhe e dhashë me tërë mend dhe bëra një propozim në atë kohë që një grup njerëzish ta marrin përsipër që të shkojmë me një ofertë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve të mendojmë për lidershipin e partisë. Edhe sot unë këtë mendoj. Dhashë dorëheqjen për të treguar se nuk ka rëndësi pozicioni. Nuk e dhashë dorëheqjen gjasme, por e dhashë me idenë që duhet të ikim nga interesat personale. Nuk e besoj që Partia Demokratike është akoma në këto diskutime. Le t’i lëmë kohë, kohës! Duhet të fokusohemi te njerëzit”, tha ajo.
Lini një Përgjigje