TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Prill 2024, 17:35

SPAK shkund “sheikët" e politikës, sekuestron në ILDKP deklarimet pasurore për 23 zyrtarë të lartë!

Shkruar nga Pamfleti

 

SPAK shkund “sheikët" e politikës, sekuestron në ILDKP
SPAK alarmon politikën

SPAK ka futur në skaner pasuritë e 23 pushtetarëve dhe sipas burimeve, bëhet fjalë për emra të njohur...

Prokuroria e Posaçme ka hapur dosjet e pasurive për pushtetarët. Teksa ILDKP thjesht merr deklaratat dhe nuk bën asnjë verifikim, duket se prokurorët kanë hyrë vetë në lojë.

“Pamfleti” e ka denoncuar disa herë se në Parlament kemi me dhjetëra deputetë, po ashtu ka ministra, zv/ministra, Sekretarë të Përgjithshëm apo krerë bashkish që kanë pasuri të jashtëzakonshme. Madje ka dhe nga ata që kanë me dhjetëra apartamente e prona me vlerë miliona euro. Askush deri më sot nuk është kallëzuar penalisht.

Por duket se SPAK ka futur në skaner 23 emra dhe sipas burimeve, bëhet fjalë për emra të njohur. Kjo deklarohet nga vetë ILDKP në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend.

Në vijim të përmbushjes së angazhimeve të ndërsjella që burojnë nga zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka vijuar shkëmbimi i të dhënave dhe informacioneve të ndërsjella me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë në çështjet e shkeljeve të kuadrit ligjor në fushën e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive, si dhe për veprat e mundshme penale që lidhen me korrupsionin. Gjithashtu, në vijim të mbështetjes së strukturave të SPAK mbi hetimet e nisura për zyrtarë të cilët janë subjekte të deklarimit të interesave privatë, ka vendosur në dispozicion, për 23 raste, të gjithë informacionin e nevojshëm të administruar pranë Inspektoratit të Lartë për këta subjekte”, thuhet në raport.

SPAK shkund “sheikët" e politikës, sekuestron në ILDKP
Raporti i ILDKP

Sipas informacioneve, mes tyre janë emra si Ilir Meta, Olta Xhaçka, Ilir Beqaj, por dhe për kryebashkiakë e zyrtarë të tjerë.

Duhet theksuar se SPAK, thuajse në të gjitha raste kur heton pushtetarët për afera korrupsioni, ka hapur edhe dosjet e pasurive. ILDKP këtë vit i dixhitalizoi deklarimet dhe SPAK duket se ka marrë të gjitha deklarimet për 23 emrat në fjalë, duke filluar nga viti 2003 kur ka nisur deklarimi pasuror edhe deri më sot. Sinjalet janë se do të fundosen shumë prej tyre, pasi duken sheshit zullumet me pasuritë. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje