TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Qershor 2024, 10:29

Jep dorëheqjen kryetarja e Bashkisë Himarë, Blerina Bala

Shkruar nga Pamfleti

Jep dorëheqjen kryetarja e Bashkisë Himarë, Blerina Bala

Blerina Bala, kryetarja e komanduar e bashkisë së Himarës ka dhënë dorëheqjen.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala ka dhënë dorëheqjen. 

Mësohet se dorëheqja është zyrtarizuar pak minuta më parë.

"Për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë", mësohet të ketë thënë Bala. 

Letra:

Të nderuar banorë të Himarës!

Të nderuar anëtar të Këshillit Bashkiak Himarë!

Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.

Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.

Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.

Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.

Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe cdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.

Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për cdo gjë që kemi arritur së bashku.

Me respekt, Blerina Bala

Sjellim në vëmendje se më 29 Mars të 2024-ës, Këshilli Bashkiak i Himarës votoi mes tensionesh Blerina Balën si kryetaren e re të komanduar. Me 15 vota pro dhe 4 kundër, Këshilli vendosi që Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Komandimi i Blerina Balës në krye të Bashkisë së Himarës erdhi pas dorëheqjes së Jorgo Goros, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme me akuzën e shpërdorimit të detyrës për tjetërsimin e 2 pronave. Ndërkohë Fredi Beleri, i cili në 14 Maj u zgjodh kryetar i Bashkisë vuan në burg dënimin me 2 vite heqje lirie për veprën penale të blerjes së votave.

Himara mbetet sërish pa drejtues, ndërsa sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, do të jetë Këshilli Bashkiak i Himarës që do të mblidhet për të votuar dhe komanduar një tjetër kryetar deri sa të mbahen zgjedhjet.

2 emrat e diskutuar për të marrë drejtimin janë Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano.

dorëheqje kryetarja e bashkisë himarë blerina bala

Lini një Përgjigje