
Ish-kryeministri Sali Berisha, njoftoi protestën një ditë pas publikimit të pjesës tjetër të investigimit të RAI 3 për “politikanët e përfshirë në krim”. Berisha akuzoi Ramën se ka krijuar një ‘narkoshtet’ që po u merr pasuritë shqiptarëve dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria.
Nëpërmjet kësaj proteste, Berisha kërkon largimin e Ramës.
“Këta janë mafiozët në pushtet. Është ky narkoshtet që ne denoncuam para jush me forcën më të madhe dhe në opinionin publik botëror, që me vendimin e kanabizimit të Shqipërisë, që dikton çdo ligj, çdo kod, çdo rregull. Është ky narkoshtet që me fuqinë e tij ndërmori agresionin më të pashembullt ndaj shqiptarëve, i zboi ata si kurrë në histori nga vatrat e tyre. Është ky shtet i krimit dhe mafias, që nuk njeh norma, ligje, kushtetutë. Që mobilizon mafian ndërkombëtare në një sulm të pashembullt për shkatërrimin e opozitës shqiptare si zëdhënëse e vetme e qytetarëve të ndershëm shqiptarë. Është ky narkoshtet me në krye Ramën, që po ndan me familjarët e vet fondet dhe pasuritë publike të shqiptarëve. Ahmetaj është dëshmitar okular, që i ka parë në zyra Pëllumb Gjokën, Troplinët, Avdylët, Rraja, Dervishët, Çelën, duke marrë urdhra kundër opozitës. Bajrat morën urdhra për vjedhjen e votave.
Në mënyrë të përsëritur, kemi denoncuar dyshimet shumë të mëdha që ekzistojnë në përdorimin e Ismailit, avionit taksi të Ramës për transportin me baule diplomatike të ngarkesave të mëdha të narkoeurove dhe kokainës. Jemi në një narkoshtet që me tentakulat e tij ka zhdukur votën e lirë, po plaçket pasuritë e shqiptarëve.
Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut të narkoshtetit shqiptar, se nëse do të njiheshit me dosjet e 7 familjeve mafioze që u larguan nga vendi pa u hyrë ferra në këmbë, nëse do njiheshit me dosjen McGonigal, e mafias që me Ramën vepron kundër shqiptarëve, do të kuptonit që ajo që keni dëgjuar është vetëm 1% e asaj që ju kërcënon qenien tuaj, fëmijët tuaj, pasuritë tuaja.
Ju bëj thirrje, të enjten, në orën 11:00 të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Beteja jonë është betejë për jetë a vdekje për të ardhmen tonë. Ju ftojmë të lini çdo gjë, të mblidhemi para Parlamentit. O sot o kurrë, fitore”, u shpreh ai.
Berisha tha se ky investigim, tregoi kriminalizimin e Shqipërisë. Ai theksoi se ky shtet i mafias po dëbon shqiptarët nga vatrat e tyre.
"Dokumentari i RAI3 tregoi kriminalizimin e shtetit shqiptar. Nuk janë vetëm mediat italiane që shkruajnë për këtë narko-shtet, por edhe gazeta gjermane BILD. Narko-shteti dëboi shqiptarët nga vatrat e tyre. Është ky shtet i krimit dhe mafies, që nuk njeh norma. Krimi dikton çdo ligj, çdo kod.
Mediat e huaja prej kohësh shkruajnë se në Shqipëri mafiozët janë në pushtet. Arben Ahmetaj është dëshmitar okular, është njeriu që ka parë në zyra Pëllumb Gjokën, Ndokët, Rrajët, Çelët, Dervishët, duke marrë urdhra kundër opozitës, Bajrët duke marrë urdhër për blerjen e votave. Jemi në narko-shtet, që ka zhdukur votën e lirë”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje