
Rusia kremtoi pak javë më parë Ditën e Fitores, një festë e madhe kombëtare që përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik përballë Gjermanisë naziste. Duke folur para trupave ruse në paradës e rastit në Sheshin e Kuq, Vladimir Putin premtoi se Rusia do të arrijë shumë shpejt dhe sërish fitoren, këtë herë ndaj Ukrainës.
Por nëse ndodh diçka e tillë, do të rrezikohej jo vetëm ekzistenca e Ukrainës si shtet, siguria e Evropës por edhe më gjerë. Sepse pushtimet e tij të radhës janë tashmë gati ta shpallura. Kremlini ka qenë shumë i sinqertë në dëshirën e tij për të dobësuar NATO-n, për të prishur unitetin e brendshëm të Perëndimit, dhe për të nënshtruar fqinjët e Rusisë.
Për Putinin, lufta në Ukrainë nuk ka të bëjë vetëm me atë vend. Ai e sheh konfliktin aktual si një moment përcaktues në luftën e tij më të gjerë kundër Perëndimit, dhe në reformimin e rendit botëror aktual. Putin tha se Rusia nuk ka në plan të sulmojë asnjë vend të NATO-s.
Nisur nga kjo, shumë udhëheqës perëndimorë janë të qetë në besimin se lufta e Rusisë është rreptësisht e kufizuar në Ukrainë, sepse neni 5 i NATO-s është “i papërshkueshëm nga uji”. Por nëse Moska lejohet të triumfojë në Ukrainë, vendet e tjera - përfshirë anëtarët e NATO-s - do të jenë në një rrezik shumë më të madh. Anasjelltas, mbështetja perëndimore për Ukrainën i tregon Putinit se do të paguajë një çmim “edhe më të madh”, nëse do të sulmojë ndonjë vend të aleancës, dhe po përgatitet për çdo skenar të tillë.
Ky fakt nuk i ka shpëtuar vendeve më pranë Rusisë. Sidomos vendet baltike, kanë paralajmëruar se Rusia mund të “zhvendosë shumë shpejt vëmendjen” nga Ukraina për të pushtuar territorin e tyre. Edhe Moldavia, që shpreson të çlirohet nga ndikimi i Rusisë dhe të bashkohet me Perëndimin, druhet se do të ishte e ardhmja e saj nëse Putin del fitimtar në Ukrainë.
Ç'është më e rëndësishmja:Rusia nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe avionë në vende të tilla. Një Rusi fitimtare, e guximshme, e ngulitur mirë në Ukrainë dhe me kapacitete ushtarake të lira, mund të mbështetet tek mjetet hibride të luftës, duke përdorur “burrat shtatshkurtër me uniforma të gjelbra”, si në terren ashtu edhe në hapësirën informative për ta bindur Perëndimin se konflikti është i brendshëm.
Për rrjedhojë, në rastin e Baltikut, nuk mund të aktivizohet Neni 5 i NATO-s. Këtë donte të thoshte Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, kur paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s brenda “5-8 vjetësh”. Në fakt, Rusia po punon që tani për ta destabilizuar Evropën.
Muajin e kaluar, NATO paralajmëroi se Rusia po zhvillon një “fushatë të përshkallëzuar” të sulmeve kibernetike, dhe operacioneve të tjera “hibride” kundër anëtarëve të saj. Shërbimi sekret britanik, ka paralajmëruar se Moska po planifikon madje edhe “sulme fizike” ndaj Perëndimit.
Ne e dimë se Rusia po rekruton ekstremistë të së djathtës ekstreme për të kryer sulme ndaj individëve. Dhe agjencitë evropiane të inteligjencës, thonë se duke synuar të na dobësojë, Moska ka organizuar akte të dhunshme sabotimi në të gjithë Evropën, dhe po planifikon shumë të tjera.
Rusët po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të këtij muaji, dhe padyshim edhe në zgjedhjet presidencale të SHBA-së në nëntor. Ndërkohë, Rusia po e përdor makinerinë e saj të luftës hibride për të nxitur kaos në nën-brezin e butë të NATO-s: Ballkanin Perëndimor.
Duke përdorur operacionet informative dhe ndikimin korruptiv, Moska synon të nxisë tensionet etnike midis Serbisë dhe Kosovës dhe brenda Bosnje Hercegovinës. Ndërsa Gjeorgjia përballet me protesta të mëdha, të nxitura nga një ligj i miratuar së fundmi që synon të godasë shoqërisë civile dhe aspiratat e saj për t’u bashkuar me BE-në, Rusia po i ofron Tbilisit ndihmë në fushën e sigurisë.
Teksa këtë vit në Moldavi mbahen zgjedhjet parlamentare, dhe pritet që Kishinau të shprehet për anëtarësimin në BE, Rusia ka të ngjarë të mos humbasë një mundësi për të mbjellë përçarje të mëtejshme në këtë vend në Perëndim të Ukrainës. Një fitore e Moskës ndaj Kievit, do të sillte pasoja serioze në rajonin e Indo-Paqësorit dhe më gjerë.
Sepse nëse Rusia është në gjendje t’i rezistojë Perëndimit në Ukrainë, atëherë Pekini mund të arrijë në përfundimin se do të përballet me rezistencë të dobët ndaj agresionit ushtarak ndaj Tajvanit. Për më tepër, Moska synon të forcojë praninë e saj ushtarake në Afrikë, për të cilën ajo punon me ndihmën e mbetjeve të grupit mercenar Ëagner.
Rusia dhe Kina besojnë se rënia e fuqisë globale të SHBA-së është thelbësore për ta, dhe ato po lobojnë për një sistem ndërkombëtar multipolar që nuk udhëhiqet më nga Uashingtoni. Perëndimi mund ta fitojë këtë luftë, vetëm nëse udhëheqësit e saj e kuptojnë lojën e Putinit. Që kur Putin erdhi për herë të parë në pushtet, ai ka kryer një ofensivë që synon të nxisë “kontrollin refleksiv” të Perëndimit. “Kontrolli refleksiv”, është një koncept i vjetër sovjetik, dhe i huaj për shumicën e vendeve perëndimore.
Ai përfshin ndërhyrjen në vendimmarrjen e një vendi tjetër, derisa qeveria e saj të detyrohet të ndërmarrë veprime në interes të Kremlinit. Sipas strategjisë së Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, loja e luftës e Rusisë funksionon përmes “manipulimit masiv psikologjik të popullsisë, për të destabilizuar shtetin dhe shoqërinë”.
Kjo është ajo që bëri Moska e njëfarë suksesi në Ukrainë, para Revolucionit të saj Maidan në vitin 2014, kur njerëzit reaguan. Presidenti ukrainas Zelensky thotë se “ne mund dhe duhet të mendojmë vetëm se si të fitojmë”. Mjerisht, kjo ndjenjë nuk ndahet nga shumë njerëz në Perëndim.
Dhe kjo e lë të paqartë se çfarë do të thotë fitore, duke premtuar që ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës “për aq kohë sa do të duhet”. Për Putinin, kjo është një ëndërr e realizuar, dhe i jep atij aftësinë për një luftë të gjatë. Mos kini asnjë iluzion:Perëndimi e ka fuqinë për të siguruar humbjen e Rusisë.
Së bashku, vendet perëndimore, e lënë shumë prapa Rusinë ekonomikisht, dhe e tejkalojnë atë në nivelin ushtarak. Por ato duhet ta përkthejnë në realitet këtë potencial. Dhe kjo kërkon durim dhe vendosmëri për t’i qëndruar pranë Ukrainës, dhe për t’i siguruar asaj armët dhe trajnimin e nevojshëm për forcat e saj që të fitojnë në fushën e betejës. Përndryshe, Ukraina do të jetë dominoja e parë që do të bjerë./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Shënim: Ivana Stradner, studiuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive me qendër në Uashington.
Lini një Përgjigje