TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Mars 2024, 22:24

Intervista/ Zyrtari i DASH: Duam më shumë arrestime nga SPAK, DEA ka marrë informacione të vyera nga qytetarët shqiptarë!

Shkruar nga Pamfleti

Intervista/ Zyrtari i DASH: Duam më shumë arrestime nga SPAK, DEA ka

Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson, ka paralajmëruar të korruptuarit se do të paguajnë çmimin që meritojnë.

Në një intervistë për Top Channel, marrë nga Anila Hoxha, ai ka deklrur prerë se SHBA është pas SPAK, teksa u shpreh hapur se do të ketë të tjerë “non grata”. Po ashtu ai u ndal dhe te krimi i organizuar, duke thënë se qytetarët shqiptarë po japin informacione te numri i gjelbër që ka nxjerrë DEA.

Zyrtari i DASH u shpreh se duhet të goditen të korruptuarit, krimi i organizuar dhe t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.

Intervista:

- Z. Robinson, së pari, faleminderit për këtë intervistë. Ju keni qenë në Shqipëri midis viteve 2004-2006 dhe në këto më pak se 24 orë, si ju duket ky qytet dhe Shqipëria?

Përshtypja ime është që është një vend dhe ky është një qytet që ka ndryshuar shumë nga vitet 2004-2006. Dhe mendoj, në masën më të madhe, për mirë. Shoh shumë më tepër biznese, shoh njerëz që dalin për blerje, për të ngrënë. Kanë shumë më tepër zgjedhje dhe opsione. Mendoj se është një qytet dhe një vend që qartësisht ka ecur përpara në mënyrë shumë pozitive. Është shumë e këndshme ta shohësh.

-Cila është ajo që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Sinqerisht, aeroporti i ri; është shumë më afër. Rruga për në qytet ishte e shkëlqyer. Kishte mbikalime e nënkalime që ndihmonin me trafikun. E di që trafiku është ende problem, por pashë një përmirësim të qartë. Kujtoj se kur isha këtu në 2004-ën, rruga për në aeroport kalonte mes fushave bujqësore dhe ishte mjaft larg. Dhe merrte shumë kohë. Aeroporti i ri është modern. Është më afër. Është më mbarë për qytetarët e zakonshëm. Dhe mendoj se është një përmirësim i qartë dhe një shenjë e qartë që vendi po ecën përpara.

-Ambasada amerikane këtu në Tiranë shpërndau të dhëna dhe fotografi mbi takimin tuaj me prokurorët e posaçëm të SPAK dhe ajo që vumë re ishte stoku i dosjeve të konsiderueshme në zyrat e prokurorëve anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Çfarë menduat në ato momente kur patë stokun e dosjeve në ato zyra?

Më bëri përshtypje volumi i punës që bënin. Dhe mendoj se po përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për t’iu kundërvënë krimit dhe korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në vend. Dhe jam krenar për bashkëpunimin dhe punën e përbashkët me SPAK-un. Dhe synimi ynë është që ta vazhdojmë këtë.

-Cili është mesazhi që iu dhatë prokurorëve të posaçëm anti-korrupsion dhe që insistoni ta përsërisni sërish?

Dhamë një numër mesazhesh. Së pari, që ata (SPAK) po bëjnë një punë fantastike dhe jo vetëm SPAK, por të gjitha agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006. Ky ishte mesazhi i parë; i dyti – Qeveria e Shteteve të Bashkuara është këtu për t’i ndihmuar me punën e tyre. Ajo që iu thashë ishte, burimet janë të kufizuara kudo në botë. Por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë. Dhe mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu. FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar.

- Ju qëndruat në një takim me Kryeprokurorin e SPAK dhe – për t’iu kthyer sërish njoftimeve nga Ambasada për takimet me njerëzit e drejtësisë – kuptova që mesazhi juaj kryesor është se kishit përçuar një mesazh për kurajo dhe guxim te njerëzit e drejtësisë që hetojnë dhe shpallin vendime. Mund të ndani me ne disa nga këshillat ose mesazhet që iu dhatë Prokurorëve të Posaçëm të SPAK gjatë këtyre takimeve?

Siç e thashë më parë, ne duam që ata ta dinë se kanë mbështetjen tonë. Ne i kuptojmë nevojat e tyre dhe atë që ata duan të marrin nga bashkëpunimi me ne. Ne duam që ata të kuptojnë se ne e dimë që nuk është e lehtë dhe ka ende shumë punë për të bërë. Por, si përfundim, mesazhi është: Nëse ata kanë vullnetin të bëjnë punën e vështirë, ne jemi këtu për t’i ndihmuar. Dhe nuk është vetëm SPAK-u, janë të gjitha agjencitë e pavarura. Është sistemi gjyqësor. Është sistemi i burgjeve. E dini, ne duam të punojmë me ministritë, duam të punojmë me ekzekutivin. Ne nuk duam të përjashtojmë askënd. Ne duam të jemi në një marrëdhënie gjithëpërfshirëse në mënyrë që kushdo, nga qytetarët e zakonshëm që përmende me parë, e deri te ministritë dhe institucionet e pavarura, institucionet e drejtësisë, ne duam që të gjithë të punojnë së bashku tani dhe drejt së ardhmes. Ne mendojmë se, e dini, ne duam të falënderojmë këto institucione për punën e tyre në të shkuarën, atë që po bëjnë tani, por më me rëndësi, atë që do të bëjnë në të ardhmen, për ta bërë Shqipërinë një partner më të mirë, për ta bërë Europën një partner më të mirë, dhe si përfundim, për ta bërë aleancën tonë globale më të fortë kundër këtyre kriminelëve të organizuar ndërkombëtarë.

- Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit kanë shpallur "non-grata" njerëz të politikës dhe njerëz të biznesit. A do të vazhdoni ta bëni këtë gjë dhe a është kjo një masë e efektshme?

Do të përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion për t’iu vënë pas aktorëve të korruptuar dhe për të ndihmuar institucionet shqiptare që t’i vihen pas aktorëve të korruptuar. Kemi një numër mjetesh dhe shpalljet "non-grata" dhe sanksionet e vizave janë mes tyre, dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato sepse janë mënyra të efektshme për t’u siguruar që ata zyrtarë të rëndësishëm, zyrtarë të nivelit të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë ta kuptojnë që për akte korruptive ka një çmim që duhet paguar dhe të gjitha mjetet që ne kemi në dispozicion do të vihen në punë kundër atyre aktorëve të korruptuar.

-Ku ndodhet Shqipëria në vlerësimin tuaj për sa i takon ligjzbatimit, narko-trafikut, pastrimit të parave dhe anti-korrupsionit?

Mendoj se kanë treguar se e kanë kapacitetin për t’i kryer këto hetime dhe për t’iu vënë pas këtyre rrjeteve. Po e shohim në Shqipëri. E kam parë në udhëtimet e mia në Amerikën Latine. Kuptojmë që ekspertiza dhe ndërtimi i kapaciteteve nuk janë të lehta. Nuk është diçka e shpejtë. Dhe nuk do të jetë diçka e përsosur. Por shohim që ndodh përparim. Duam të shohim më shumë. Dhe prandaj po ndihmojmë.

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar gjithmonë mbështetjen për reformën në drejtësi, financiare dhe morale. A mund të quhet kjo reformë e suksesshme deri në këto momente?

Është e suksesshme por ka gjithmonë më shumë punë për të bërë. Dhe jemi këtu për të ndihmuar që kjo punë të vazhdojë. Reforma në drejtësi ka shumë nivele të ndryshme – nga sigurimi që qytetarët e zakonshëm kanë qasje në drejtësi, tek sigurimi që ndërveprimi i tyre me sistemin e drejtësisë është transparent dhe një marrëdhënie pozitive për ta, tek sigurimi që ata që futen në sistemin e drejtësisë, kur dënohen për një krim dhe futen në sistemin e burgjeve, që të trajtohen në mënyrë njerëzore. Të gjitha këto janë të rëndësishme, përsëris, për shqiptarët e zakonshëm, të cilët duhet të presin se do të trajtohen pikërisht ashtu kur futen në atë sistem. Dhe prandaj jemi këtu për të ndihmuar, prandaj agjencitë e ndryshme të Shteteve të Bashkuara janë këtu për të ndihmuar.

-Në kohë të ndryshme, janë goditur dhe janë vendosur para akuzave anëtarë grupesh kriminale ndërkombëtare në fushën e narkotrafikut. Sa prezente është DEA në Shqipëri dhe cili është vlerësimi për institucionet ligjzbatuese shqiptare?

Ata po marrin pjesë në hetime anembanë botës. Dhe mendojmë se kjo është diçka e mirë. Pata privilegjin të udhëtoja në Peru dhe Ekuador kohët e fundit dhe atje vërenin praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine por vërenin edhe bashkëpunimin që kanë patur nga institucionet shqiptare, policia prokurorët dhe ndonëse kjo marrëdhënie sapo ka filluar, ka filluar pozitivisht.  Dhe mendoj se institucionet shqiptare po tregojnë kapacitetin për t’i kryer këto hetime komplekse dhe janë të afta ta bëjnë këtë për shkak të bashkëpunimit të shkëlqyer mes partnerëve të tyre në Shtetet e Bashkuara dhe partnerëve të tyre në Bashkimin Europian.

-Këtu në Shqipëri, Agjencia kundër Drogës (DEA) ka vendosur dy kontakte – në ËhatsApp dhe një adresë email – për këdo që mund të informojë në lidhje me çështje të drogës dhe pastrimit të parave. Pse u vendos ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët? Pse kërkuat informacione drejtpërdrejt prej tyre?

Roli i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është në krye. Është përgjegjësia e kujtdo që t’i bashkohet kësaj lufte. Përgjegjësia e qeverisë është e madhe, por edhe qytetarët shqiptarë luajnë rolin e tyre. Janë ata që preken më shumë nga kjo pandëshkueshmëri, nga ky korrupsion dhe duhet të kenë një vend ku të shkojnë dhe t’i thonë dikujt se çfarë po ndodh dhe të raportojnë se çfarë është e gabuar dhe të presin që institucionet qeveritare do të bëjnë pjesën e tyre dhe detyrën e tyre për t’i ndjekur këto dhe për të kryer hetimet që janë të nevojshme për t’i sjellë përgjegjësit përpara drejtësisë.

-Bazuar në informacionet që ju dispononi, a janë treguar të gatshëm shtetasit shqiptarë që të japin informacione të rëndësishme për narkotrafikun dhe pastrimin e parave që vijnë nga droga?

Me sa kam kuptuar, sistemi po funksionon shumë mirë, shqiptarët në fakt po luajnë rolin e tyre dhe institucionet shqiptare e mirërpresin këtë informacion.

-A mund të themi se këto dy pika kontakti për të informuar dhe për të qenë në kontakt me DEA-n u vendosën pikërisht edhe për shkak të prezencës së shtuar të grupeve shqiptare në Amerikën Latine?

Absolutisht. Ajo që kemi parë është se këto rrjete kriminale ndërkombëtare shqiptare, meksikane, kolumbiane, nuk respektojnë kufij. Janë institucione globale. Keni praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, keni praninë e rrjeteve kriminale meksikane dhe kolumbiane në Europë dhe Azi. Ajo që është e qartë është se në shumë mënyra, ata punojnë bashkë për ta vazhduar veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme. Dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më mirë për të bashkëpunuar përtej kufijve, duke respektuar kufijtë e njëri-tjetrit, por përtej kufijve me shkëmbim informacioni dhe duke ndihmuar me operacionet. Nëse nuk e bëjnë, fitojnë kriminelët. Dhe nëse e bëjnë, atëherë bëjmë shumë përparim drejt heqjes së atyre fitimeve nga duart e këtyre rrjeteve kriminale, fitime që lejojnë korrupsionin, fitime që lejojnë pandëshkueshmërinë. Nëse mund t’ua heqim nga duart këtë, do kemi bërë shumë përparim drejt ndalimit të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë që na prek të gjithëve.

Lini një Përgjigje