
Shqipëria shënon një tjetër hap shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani bëri me dije se procesi i shqyrtimit të përputhshmërisë, i njohur si “screening” përfundoi me sukses këtë javë në Bruksel.
“Ky proces zgjati për 14 muaj me 777 prezantime, me përfshirjen e mbi 1500 ekspertëve shqiptarë dhe 1000 ekspertëve të Komisionit Evropian. Që prej vitit 2022, u mbajtën 300 takime shpjeguese dhe dypalëshe për shqyrtimin e acquis. Ky proces e sjell Shqipërinë më afër me Bashkimin Evropian dhe e bën atë më të përgatitur për fazat e mëtejshme të integrimit.
Hapi i radhës është hapja e grupkapitullit të parë për çështjet themelore. Një nxitje për angazhim intensiv, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, nënvizoi Hasani.
Shqipëria mori statusin kandidat në vitin 2014 dhe në korrik të vitit 2022 çeli zyrtarisht bisedimet për anëtarësim në konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në.
Negociatat kalojnë nëpër tre etapa kryesore: Në shqyrtimin analitik të legjislacionit (Screening); në hapjen dhe zhvillimin e tyre për çdo kapitull të “acquis” dhe në mbylljen e negociatave për çdo kapitull dhe nënshkrimin e Traktatit të Aderimit.
Lini një Përgjigje