Deputeti i Bundestagut Michael Roth, hoqi paralele mes ngjarjes së mbrëmshme në Kosovë dhe metodat që përdor ushtria ruse në Ukrainë.
Sipas tij nëse Serbia qëndron prapa tyre, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë
“Këto janë metoda terroriste ruse kundër një shteti sovran në zemër të Evropës. Këto sulme duhet të hetohen deri në fund. Nëse Serbia qëndron prapa tyre, që shpresoj të mos jetë kështu, atëherë ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me Serbinë”, shkroi deputeti Roth.
Edhe Franca dënoi sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Në mbrëmjen e 29 Nëntorit, në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ndodhi një shpërthim që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj. Nuk pati viktima, por kanali pësoi dëme.Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për këtë “sulm kriminal dhe terrorist” dhe strukturat kriminale të udhëhequra nga Millan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të Shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia synoi “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Nuk është thënë saktësisht se çfarë eksplozivi është përdorur, por ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se bëhet fjalë për “eksploziv që nuk është i lehtë për t’u gjetur në tregun e zi”.
Serbia mohoi përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke e dënuar shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”.
Ajo theksoi se ky akt “në mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë.
Edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, e dënoi dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.
Policia e Kosovës të shtunën vazhdoi me hetime intensive për ndriçimin e rastit dhe, si rezultat, në veri të vendit po zhvillohet një operacion policor që përfshin disa lokacione.
Lini një Përgjigje