Vizitë fasadë në QSUT, Rama shmang skandalet e Onkologjikut dhe flet për reputacion!
Edi Rama zbriti sot në QSUT dhe ndaloi te Spitali Onkologjik, duke tentuar të krijojë imazhin e një shërbimi shëndetësor që, sipas tij, po ecën drejt standardeve të larta. Realiteti që pacientët përjetojnë çdo ditë në Onkologjik e rrëzon këtë narrativë. Ky spital vazhdon të mbetet simbol i dështimit shtetëror në shëndetësi, me mungesa të vazhdueshme ilaçesh, kushte degraduese dhe trajtim që cenon dinjitetin njerëzor.
Prej vitesh, gazetari Osman Stafa ka denoncuar publikisht, me fakte dhe dëshmi, mungesën e barnave jetike dhe situatën absurde ku kimioterapia kryhej në karrige, jo në kushte spitalore. Këto denoncime nuk morën kurrë përgjigje serioze institucionale. Përkundrazi, u mbuluan me heshtje dhe deklarata propagandistike. Vetëm pak ditë më parë, dhoma e kimioterapisë u rikonstruktua, jo nga buxheti i shtetit, por nga një biznesmen privat, një fakt që nxjerr zbuluar braktisjen e plotë të këtij shërbimi nga qeveria.
Në këtë sfond, Rama zgjodhi të flasë për sakrificën dhe përkushtimin e mjekëve dhe infermierëve, duke shmangur përgjegjësinë politike për kushtet reale në Onkologjik. “Përtej vështirësive dhe problemeve ka diçka që nuk mund të harrohet për asnjë moment, sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, punonjësve të urgjencës kombëtare dhe i gjithë stafit që mbështet çdo orë e çdo ditë të vitit duke shpëtuar jetë”, deklaroi Rama. Ai përmendi edhe shifra, “rreth 60 mijë operacione të suksesshme në vit dhe 35 mijë ndërhyrje kirurgjikale”, duke i paraqitur si prova suksesi të sistemit shëndetësor.
Por këto deklarata bien ndesh me atë që ndodh konkretisht në Onkologjik. Kryeministri pranoi indirekt se ky spital “u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë përballë fakteve që nuk nderojnë askënd”, por u përpoq ta relativizojë situatën duke thënë se kishte takuar pacientë të kënaqur dhe se opinioni publik, sipas tij, “ushqehet me negativitet nga ata që nuk kanë marrë shërbim”. Kjo qasje zhvendos vëmendjen nga thelbi i problemit, përgjegjësia e shtetit për të garantuar barna, pajisje dhe kushte dinjitoze për pacientët me kancer.
Onkologjiku nuk ka nevojë për vizita fasadë dhe deklarata motivuese. Ka nevojë për ilaçe, transparencë dhe fundin e aferave që e kanë kthyer në spitalin më problematik në vend. Kur investimet bazë i bëjnë biznesmenët dhe jo qeveria, ndërsa pacientët trajtohen me karrige dhe mungesa barnash, çdo fjalë për “pjesën pozitive që dominon” tingëllon si përpjekje për të hedhur hi syve dhe për të larë përgjegjësitë politike. /Pamfleti
Lini një Përgjigje