TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shkurt 2026, 12:16

Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e Ballukut, Berisha: Edi Rama përfundoi në koshin e plehrave!

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e Ballukut, Berisha: Edi Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e kryeministrit Rama për të shpallur antikushtetues pezullimin e Belinda Ballukut, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.

Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të miratojë kërkesën e kryeministrit pas një shqyrtimi që zgjati rreth nëntë orë. Ai deklaroi se kërkesa e Ramës përbënte një akt ekstrem ndaj rendit kushtetues.

“Pas 9 orësh, GJK nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve që me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.

Kryedemokrati shtoi se, sipas tij, Gjykata mban përgjegjësi për kohën e dhënë gjatë procesit, duke e akuzuar Ballukun për falsifimin dokumentesh.

“Gjykata ka mëkatin e madh sepse i dha Lubi Ballukut mbi dy muaj kohë të falsifikojë çdo dokument. Me atë ndarje 4 me 4 vendimi, kërkesa e Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave bashkë me Edi Ramën”, u shpreh Berisha.

Në vijim, kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin se qëndrimet e tij për çështjen e Ballukut kanë sjellë pasoja në raportet me Bashkimin Europian.

“I kapur me presh në dorë, i dëshmoi shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se për atë ligji dhe Kushtetuta nuk ekzistojnë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, Rama ka sakrifikuar interesat e qytetarëve për të mbrojtur veten. “U dëshmoi shqiptarëve se ai është i aftë të sakrifikojë çdo interes të tyre, të shkelmojë edhe procesin më themelor të pluralizmit politik, procesin e integrimit europian”, tha Berisha.

Ai pretendoi se sjellja e kryeministrit ka detyruar reagimin e kancelarive europiane. “Rama me qëndrimet e tij të papërgjegjshme detyroi kancelaritë e Europës të shkojnë drejt një vendimi që nuk është marrë ndonjëherë, vendimit të zhbërjes së procesit të integrimit të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Berisha theksoi gjithashtu rolin e protestave të opozitës. “Protestat tuaja kanë qenë të një rëndësie përcaktuese, si shpresa e vetme e ndryshimit të kësaj situate, sepse ky vendim është i gatshëm të shpallet”, tha ai.

Në fund, Berisha akuzoi Ramën për përdorim të Gjykatës Kushtetuese si mburojë politike.

“Rama në mënyrën më të papërgjegjshme, më antikushtetuese dhe më antiligjore vendosi të përdorë GJK si mburojë të vjedhjeve të tij dhe për vazhdimin në detyrë të Lubi Ballukut. Por këto qëndrime hasën në kundërshtimin më të fuqishëm të partnerëve tanë dhe të Komisionit Europian”, deklaroi Berisha gjatë komunikimit me ndjekësit në Facebook.

Sipas kreut të PD-së, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë, ka ekspozuar sjelljen e kryeministrit si një veprim që cenon drejtpërdrejt interesat e qytetarëve dhe rendin kushtetues.

Lini një Përgjigje