TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shkurt 2026, 09:32

Vendimi i Kushtetueses, reagon Tabaku: Qeveria shkel ligjin prej 8 javësh, Balluku pa legjitimitet moral në detyrë

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Kushtetueses, reagon Tabaku: Qeveria shkel ligjin prej 8 javësh,
Belinda Balluku dhe Edi Rama

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në reagimin e saj, Tabaku shprehet se prej 8 javësh, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, por sipas saj, qeveria ka refuzuar ta zbatojë këtë vendim. Ajo thekson se për këtë periudhë Shqipëria ka pasur një zv/kryeministre “në kundërshtim me ligjin”.

Sipas deputetes së PD, gjatë kësaj kohe, një zyrtare e pezulluar ka ushtruar funksione shtetërore dhe ka pasur mundësi të ndikojë në prova apo dëshmitarë, ndërkohë që, siç shprehet ajo, ka menaxhuar edhe një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit, pavarësisht një vendimi gjyqësor në fuqi.

Tabaku akuzon mazhorancën se është shndërruar në “mburojë politike”, duke mos zbatuar vendimet e një gjykate kundër korrupsionit. Ajo shton se, pas vendimit të cilin e cilëson si “(mos)vendim” të Gjykatës Kushtetuese  nuk ekziston më asnjë justifikim për institucionet.

“Mund të jetë procedural, por detyrimi për të zbatuar ligjin është politik dhe moral”, shkruan Tabaku, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese mund të ishte shprehur më qartë, por pavarësisht kësaj, sipas saj, mbetet e padiskutueshme se ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria për 8 javë me radhë.

Deputetja e PD i bën thirrje Kuvendit që të veprojë, duke theksuar se Parlamenti nuk ka më asnjë arsye për të mos hequr imunitetin, siç kërkohet nga SPAK. Ajo paralajmëron gjithashtu se vonesat mund të kenë sjellë dëmtim të provave.

Në fund të reagimit, Tabaku shpreh respekt për katër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që, sipas saj, nuk u tërhoqën nga e drejta, ndërsa përfundon me deklaratën se kjo qeveri “nuk ka më legjitimitet moral, as në sjellje, as në standarde, as në moral”.

“Prej 8 javësh, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Balluku. Prej 8 javësh, qeveria refuzoi ta zbatojë këtë vendim.

Për 8 javë me radhë, Shqipëria ka pasur një zv/kryeministre në kundërshtim me ligjin.

Për 8 javë, një zyrtare e pezulluar ka pasur mundësi të ndikojë prova, të intimidojë dëshmitarë dhe të ushtrojë funksione që ligji ia ndalon.

Për 8 javë, një ministre e akuzuar për korrupsion ka menaxhuar gjysmën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që drejtësia kishte vendosur ndryshe.

Mazhoranca u kthye në mburojë politike, duke refuzuar të zbatojë një vendim të një gjykate kundër korrupsionit.

Sot, pas (mos)vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë justifikim.

(Mos)Vendimi mund të jetë procedural, por detyrimi për ta zbatuar ligjin është politik dhe moral.

Gjykata Kushtetuese mund të kishte folur më qartë dhe më fort. Por edhe kështu, një gjë mbetet e padiskutueshme: për 8 javë me radhë, ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria.

Pas presioneve, sulmeve dhe intimidimeve, qeveria nuk ka më asnjë justifikim. Parlamenti nuk ka më asnjë justifikim për të mos hequr imunitetinsiç e kërkon SPAK.

Ndoshta është shumë vonë. Ndoshta disa prova janë dëmtuar. Por sot drejtësia foli dhe kushdo e sulmoi duhet të heshtë.

Respekt për 4 gjyqtarët kurajozë që nuk u tërhoqën nga e drejta.

Kjo qeveri sot nuk ka më legjitimitet moral.

As në sjellje.

As në standarde.

As në moral.”, shkruan Jorida Tabaku.

 

vendimi i kushtetueses reagon tabaku

Lini një Përgjigje