TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Prill 2023, 13:28

GJKKO shtyu seancën më 9 Maj, Fatmir Mediu kërkon pushimin e dosjes “Gërdeci”

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO shtyu seancën më 9 Maj, Fatmir Mediu kërkon pushimin e
Ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu

Gjykata e Posaçme ka mbajtur seancën e parë të themelit për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu të akuzuar për shpërdorim detyre për çështjen Gërdeci.

Në këtë seancë avokatët e Mediut kërkuan pushim të çështjes, për shkak të parashkrimit të veprës penale për të cilën është ngritur akuzë ndaj ish-ministrit.

Vendimi nëse do të pranohet kjo kërkesë, apo jo do të jepet në seancën që do te zhvillohet në datën 9 Maj në orën14:00.

Në 9 Maj po ashtu pritet të dëgjohen edhe konkluzionet përfundimtare të SPAK.

Vetë Mediu nuk ishte i pranishëm në seancë.

Në njoftimin e SPAK thuhej se në përfundim të hetimeve është vendosur që çështja të dërgohet në GJKKO, me akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.

“Në përfundim të hetimeve paraprake është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.279 viti 2021, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal”, thuhej në njoftim.
SPAK bëri me dije se është vendosur ndarja e çështjes penale, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, për të cilat hetimi është ende duke u zhvilluar.

mediu dosja gërdeci

Lini një Përgjigje