TAGS-AT E JAVËS

Politike28 Maj 2026, 20:38

GJKKO ndau dosjen e ish-çiftit Meta-Kryemadhi, zbardhet data e seancës së radhës!

Shkruar nga Pamfleti

 

GJKKO ndau dosjen e ish-çiftit Meta-Kryemadhi, zbardhet data e
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar datën 5 qershor 2026, ora 11:00, për zhvillimin e seancës së radhës ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Në seancën e mbajtur më 11 maj, GJKKO vendosi ndarjen e dosjes “Meta”, duke përcaktuar që Meta dhe Kryemadhi të përballen në një proces të veçantë gjyqësor, ku akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ndërkohë, gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje: Ema Çokun, nëna e Monika Kryemadhit, një mikeshë të saj të akuzuar për pastrim parash, si dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

Kujtojmë që seanca gjyqësore ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi në GJKKO u shoqërua me debate, kërkesa për transmetim live dhe akuza të forta ndaj SPAK-ut, ndërsa prokurorët paraqitën provat për dosjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe marrëdhëniet me biznesmenin Adrian Shatku.

Meta u paraqit sërish në kafazin e xhamit në sallën e gjyqit, duke komunikuar me vështirësi me avokatin Kujtim Cakrani, i cili iu afrua pranë një hapësire të vogël në xham për të biseduar me të. Ish-presidenti përshëndeti mbështetësit dhe gazetarët me simbolin e shqiponjës dykrenare, ndërsa gjatë një momenti iu drejtua ish-deputetit Bujar Leskaj me fjalët: “Akustika, akustika… xhami”.

Në sallë ndodhej edhe Monika Kryemadhi, e cila nuk pati kontakte me Metën gjatë seancës. Ndërkohë, nëna e saj dhe i pandehuri tjetër Pirro Xhixho u përfaqësuan vetëm nga avokatët.

Një nga debatet kryesore lidhej me kërkesën e mbrojtjes dhe mediave për transmetim live të procesit. Avokati Kujtim Cakrani insistoi se bëhet fjalë për “procesin e vitit” dhe se nuk kishte bazë ligjore për ndalimin e kamerave. Gjyqtarja Etleva Deda argumentoi se transmetimi do të krijonte presion publik dhe mediatik, duke urdhëruar largimin e kamerave nga salla.

Edhe Monika Kryemadhi kërkoi një proces të hapur për publikun, duke deklaruar se “shqiptarët duhet të shohin provat”, ndërsa krahasoi trajtimin e të pandehurve në Shqipëri me sistemin amerikan të drejtësisë. Cakrani kritikoi gjithashtu mbajtjen e Metës në kafaz xhami, duke e cilësuar cenim të dinjitetit njerëzor.

Gjatë seancës, prokurorët e SPAK paraqitën prova që sipas tyre lidhin Metën dhe Kryemadhin me aferën CEZ-DIA, lobimet në SHBA dhe marrëdhënie korruptive me biznesmenin Adrian Shatku. SPAK pretendoi se Monika Kryemadhi ka përdorur rreth 234 mijë dollarë nga kartat bankare të Shatkut, ndërsa përfitimet totale të çiftit nga kjo marrëdhënie arrinin në rreth 526 mijë dollarë.

Meta kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se është i divorcuar nga Kryemadhi dhe se përgjegjësia penale është individuale. “Më tregoni një shpenzim që kam bërë unë”, tha ai në sallë, duke shtuar se edhe orën që mban e ka prej 20 vitesh.

Pas seancës, Meta reagoi në rrjetet sociale duke pretenduar se SPAK ka rrëzuar akuzën kryesore ndaj tij për lobimin 1 milion dollarë për një foto me Donald Trump, ndërsa premtoi se “edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”.

Ndërkohë, Monika Kryemadhi deklaroi se procesi ndaj saj dhe Metës është politik, ndërsa ironizoi kushtet në sallën e re të gjyqit duke thënë se “filloi të pikonte kondicioneri”. Ajo shtoi se Meta është në “top formë” dhe pretendoi se javën e kaluar ish-presidentit i ishte dërguar gabimisht një kostum më i madh, çka krijoi përshtypjen e një rënieje fizike.

GJKKO vendosi ndarjen e dosjes dhe pranimin e gjykimit të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë: Ema Çokun, një mikeshë të Kryemadhit dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho. Seanca e radhës për Metën dhe Kryemadhin do të mbahet më 5 qershor.

Ish-çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, do të gjykohen në një proces, të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme ndau më vete me gjykim të shkurtuar tre të pandehurit e tjerë.

monika kryemadhi. ilir meta gjkko

Lini një Përgjigje