
Teksa po afrojnë zgjedhjet e 14 Majit aktivitetet politike po bëhen më intensive në kampin opozitar.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi do të zhvillojnë sot një takim me të rinjtë e FRPD në selinë e Partisë Demokratike, salla “Pjetër Arbnori”.
Ndërkohë po sot kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj pritet të nxjerr kandidatët për 14 majin. Alibeaj tha dje pas mbledhjes me grupin e PD dhe Kryesinë se sot do të formalizohet vendimi në lidhje me mënyrën si do të garohet në “lokale”.
“Nesër do mblidhen forumet e bazës, do sjellin dhe ata atë që është nevoja. Vendimi final do përbëhet nga kryesia, grupi dhe kolegji.. nesër (sot) do jetë i plotë”, tha dje Alibeaj.
Në mbledhjen e Kryesisë demokratët e grupit të Alibeajt kanë në tryezë tre skema. E para është që të futen në zgjedhje me kandidatët si për këshillat bashkiakë ashtu dhe për bashkitë e vendit duke garuar përballë Ramës, Metës e Berishës.
Por pati dhe deputetë që hodhën si ide që të garohet vetëm për këshillat bashkiakë dhe jo për bashkitë, duke ju lënë terren të lirë kandidatëve të Berishës.
Argumenti i tyre ishte se në këtë mënyrë PD nuk do e thellojë krizën brenda saj. Këtë ide e kanë mbështetur Jorida Tabaku, Flutura Açka dhe Dhurata Çupi. Ndërkohë Alibeaj dhe disa të tjerë kanë kërkuar që të shkohet në zgjedhje si për këshillat ashtu dhe për bashkitë.
Propozimi i tretë ishte që të dilet me kandidatë për kryetarë bashkie vetëm në disa zona dhe jo në 61 qytetet e vendit.
Kryesia nuk mori sot vendim dhe sot do të ketë mbledhje me krerët e degëve ku dhe pritet një vendim final se cila do të jetë skema që do të ndiqet.
Të hënën është afati i fundit për të çuar në KQZ listat e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshillat bashkiakë.
Lini një Përgjigje