
Ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar pas shpërthimit me tritol të ndodhur mëngjesin e sotëm në makinën e kreut të PD në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Topalli shkruan se fushata është çelur me tritol duke e cilësuar të sotmen një ditë të zezë në historinë e politikës në vendin tonë.
Ndër të tjera ajo thekson se ky akt kriminal do të kujtohet nga Ndreca për gjithë jetën dhe se kjo ditë do të mbetet më e vështira për nënën e tij, e cila në momentin e shpërthimit ndodhej në oborrin e shtëpisë ku dhe pa të gjithë ngjarjen.
“Fushata është çelur me tritol! Benardi është një djalë shumë i mirë. Familja e tij ka respektin e zonës. Tritoli i vendosur nën makinën e tij është një akt kriminal. Natyrisht nuk ka lidhje me Benardin, si person, por me Kryetarin e PD! Ai është një sulm kriminal kundra çdo qytetari.
Benardi do e kujtoj këtë akt kriminal për gjithë jetën… por ajo që ka jetuar ditën e saj më të vështirë ka qenë nana e Benardit, që doli me përcjell djalin e pau të shpërthejë makina ku ishte i biri.
Fjalët e saj:- “o e mjera unë”…. më risillen në kokë herë pas here… Djalin e saj e shpëtoi vetëm Zoti sot. Por, kjo ditë shënon një ditë të zezë në historinë politike të vendit tonë. Si në Afganistan”, shkruan Topalli.
Lini një Përgjigje