Ndërsa fushatat e kandidatëve presidencialë po i afrohen fundit, qytetarët kanë përpara një listë të gjatë kandidatësh për të zgjedhur, pozicionet politike të të cilëve shtrihen nga e majta ekstreme në të djathtën ekstreme...
Duket se zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Maqedoninë e Veriut mund të jenë më të rivalizuarat në historinë e viteve të fundit. Kjo teksa zgjedhjet parlamentare që do të mbahen pas 2 javësh, ofrojnë programe të ndryshme dhe e shtojnë konkurrueshmërinë midis partive në garë.
Ndërsa fushatat e kandidatëve presidencialë po i afrohen fundit, qytetarët kanë përpara një listë të gjatë kandidatësh për të zgjedhur, pozicionet politike të të cilëve shtrihen nga e majta ekstreme në të djathtën ekstreme. Duke pasur parasysh mbështetjen partiake për këta kandidatë, zgjedhjet e dyfishta të këtij viti, po bëhen veçanërisht sfiduese për partitë kryesore të qendrës. Ato janë përballur me dilemën se si të qasen dhe dialogojnë me sfidues të ndryshëm. Edhe pse sondazhet fillestare parashikojnë një fitore të VMRO-DPMNE-së të qendrës së djathtë.
Por nëse ajo do të mundet apo jo të formojë një qeveri apo nëse kandidati i saj presidencial mund të tërheqë një numër më të madh votash në raundin e dytë, kjo mund të varet nga aftësia e saj për të bërë kompromis për çështjet kryesore, disa prej të cilave janë në fakt përcaktuese për suksesin e saj elektoral dhe popullaritetin në bazën e saj të mbështetësve.
Nga kjo periudhë parazgjedhore vihen re 2 tendenca kryesore: retorika përçarëse dhe polarizuese nga kandidatët presidencialë, si dhe vështirësia për negocimin paraprak të koalicioneve të mundshme elektorale. Sfiduesit brenda blloqeve politike maqedonase dhe shqiptare do të përpiqen që të sabotojnë koalicionin qeverisës në një përpjekje për të diversifikuar më tej parlamentin e ardhshëm.
Megjithatë, para ditës së zgjedhjeve, ne mund të vëzhgojmë dhe analizojmë atë që ofrohet në formën e shkruar, pra përmes programeve partiake dhe mediave sociale. Duke bërë një bilanc të proceseve zgjedhore të mëparshme dhe ofertave programore të partive, mund të krijojmë një ide të përmbledhur mbi kursin retorik të partive që janë në garë.
Për të eksploruar pozicionet e palëve, ne përfitojmë sot nga disa metoda llogaritëse, sikurse është analiza e automatizuar e tekstit, duke përfshirë nxjerrjen e tekstit dhe analizën e të dhënave të mediave sociale. Analiza bazohet në të gjitha dokumentet që janë dispozicion nga viti 2010 deri në vitin 2021, dhe fokusohet vetëm tek partitë politike që i kanë publikuar programet e tyre në gjuhën maqedonase.
Analiza përjashton partitë, programet e të cilave janë jashtëzakonisht të shkurtra, apo programet e partive që nuk janë publikuar në një format të lexueshëm nga programi. Për më tepër, kemi vërtetuar manualisht kohëzgjatjen e programit të partisë, dhe kemi inspektuar shpeshtësinë e termave që mund të nxisin pozicionin e partive.
Analiza bazohet në metodat e mbikëqyrura për shkallëzimin ideologjik. Metoda mbështetet tek burimet e jashtme për të vlerësuar pikavarazhin përfundimtar. Për këtë qëllim, ne jemi mbështetur në rezultatet e pozicionimit ideologjik të Sondazhit të Ekspertëve të Chapel Hill, të cilat ofrojnë vetëm rezultate të përkohshme.
Në hapin e dytë të analizës sonë, modeli ynë shënon secilën fjalë individuale nga teksti dhe për ta vendosur atë në të dyja dimensionet. Ne i pozicionojmë partitë në shkallën ideologjike majtas-djathtas dhe GAL-TAN. Për shembull, terma si sociale, shëndetësi, reduktim ose integrim do të tërheqin pozicionin e programit të partisë drejt së majtës, ndërsa fjalëve të tilla si buxhet, projekt ose zhvillim do t’i jepet më shumë peshë drejt së djathtës.
Çuditërisht gjetëm shumë pak ndryshime ndërmjet partive politike kur bëhet fjalë për pozicionimin e tyre majtas-djathtas. Pra përveç 2 partive, Leica dhe Integra, në vitin 2020 shumica e partive të tjera janë grumbulluar në mes. Çuditërisht, Levica kishte programin më të majtë, ndërsa fushata e Integra pasqyronte statusin e saj si një forcë e ekstremit të djathtë. Gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, pati një zhvendosje të konsiderueshme të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në drejtime të ndryshme. Përderisa programi i LSDM-së u zhvendos më në të majtë në krahasim me të gjitha programet e mëparshme, ai i VMRO-DPMNE-së lëvizi më shumë në të djathtë.
Së dyti, ne analizuam pozicionimin e partive në boshtin tradicionalist-integrues, GAL-TAN. Dhe vumë re se shumica e partive gjatë gjithë periudhës së analizës, janë pak më të anuar djathtas, dhe drejt spektrit tradicionalist. Në mënyrë të veçantë bien në sy pozicionet e Levica-s dhe Integrës, të cilat tashmë janë afër njëra-tjetrës.
Një qëndrim i tillë i Levica-s është rezultat i gjuhës tejet agresive që përdori kjo parti në fushatën e vitit 2020, e cila u fokusua në “Marrëveshjen e Prespës” dhe fushatën e saj për një pozicionim më të larmishëm të vendit përballë Perëndimit, në atë që pretendon të jetë një botë shumë-polare.
Programi partiak i LSDM-së për vitin 2020, mbështetej tek ideja e anëtarësimit të vendit në BE, e cila reflektohet edhe në pozicionimin e saj në shkallën GAL-TAN. Po ashtu vëmë re një zhvendosje margjinale në programin e atij viti të VMRO-DPMNE-së më shumë drejt të djathtës.
Në zgjedhjet e 4 viteve më parë vumë re tendenca më të larmishme përgjatë spektrit ideologjik. Së fundmi, aktiviteti në Twitter i dy kandidatëve kryesorë të dy partive më të mëdha politike, tregon se këto parti priren ta moderojnë retorikën e tyre në rrjetet sociale në krahasim me programet e partive.
Ne pamë një zhvendosje prej gati 1 pikë të pozicionit të VMRO-DPMNE-së drejt qendrës. Edhe LSDM zhvendoset drejt qendrës, pra duke pasur më shumë retorikë në krahasim me programin e saj. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto ndryshime janë në drejtim të kundërt.
Zhgënjimi me procesin e integrimit në Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit dhe mosmarrëveshje dypalëshe ende të pazgjidhura që vazhdojnë të pengojnë ecjen përpara, duket se po i shtyjnë partitë më shumë drejt boshtit tradicionalist, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse procesi i integrimit në BE do të vazhdojë të jetë pika kryesore e axhendave të partive, mosmarrëveshja e ashpër me Bullgarinë, dhe pozicioni i vendit në arenën globale janë gjithashtu çështje përcaktuese. Kur flitet për ndarjet majtas-djathtas, standardi në rënie i jetesës për qytetarët, inflacioni në rritje, që i shtohen sfidave të shumta të vazhdueshme të politikave shëndetësore dhe korrupsionit të shfrenuar, janë në krye të fjalëve kyçe të identifikuara në këtë analizë. Prandaj, ndërsa zgjedhjet janë pranë, qytetarët duhet të presin një ofertë jashtëzakonisht të larmishme, si në spektrin ideologjik majtas-djathtas po ashtu edhe atë integrues dhe tradicionalist./Përshtati Pamfleti nga “European Western Balkans”
Lini një Përgjigje