
Ekspertët evropianë dhe disa zyrtarë po mendojnë gjithnjë e më shumë se ditët e Ukrainës si një vend i pavarur mund të kenë marrë fund. Ata supozojnë se një Ukrainë mund të përbëhet në të ardhmen nga një zonë e aneksuar ruse, një regjim pro-rus në Kiev, një zonë tampon dhe Ukraina Perëndimore e pushtuar nga Polonia, pra ndarë midis fqinjëve.
Shteti i vogël i Moldavisë mund të përballet me telashe të mëdha, pasi mund të shndërrohet në barrikadën e re të Perëndimit për të ndalur përparimin e Putinit në rastin e një fitoreje të tij në Ukrainë. Nuk është e qartë nëse një plan i tillë do të ketë sukses.
Por është një fakt që Moldavia nuk është vendi më i qëndrueshëm në botë, sepse ky komb i vogël është i ndarë midis elementeve pro-evropianë dhe pro-rusë. Sipas një deklarate të Ministrisë së Mbrojtjes të Moldavisë, qëllimi i stërvitjes së afërt në vend do të jetë trajnimi i përbashkët dhe shkëmbimi i përvojës midis forcave speciale moldave, rumune dhe amerikane, si dhe rritja e nivelit të ndërveprimit midis kontingjenteve pjesëmarrëse.
Këtë vit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Shërbimit Shtetëror të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Moldavisë si dhe të Forcave Speciale Pantera. Këto stërvitje nuk janë ndonjë gjë e re, por cilësohet tani si shumë më të rëndësishme dhe emergjente për shkak të situatës në zhvillim në Ukrainën fqinje.
Ndërkohë SHBA-ja po sponsorizon atë që e quan Dialogu Strategjik Moldavi-SHBA në Kishinau, kryeqytetin e Moldavisë. Ai fokusohet në fusha të ndryshme bashkëpunimi, përfshirë sektorin e drejtësisë dhe reformat kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut, promovimin e një mjedisi mediatik pluralist dhe politikat ndaj mediave që respektojnë të drejtën për të luftuar keqinformimin, diversifikimin.
Po ashtu dialogu fokusohet edhe tek qëndrueshmëria e sistemit energjetik, tek modernizimi dhe transformimi i mbrojtjes, mbrojtjes civile, menaxhimi i kufijve, siguria kibernetike, përballimi i kërcënimeve, lufta ndaj trafikut të paligjshëm të armëve dhe municioneve, përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe i materialeve të lidhura me to, trajtimit human të refugjatëve dhe tek zgjerimi i lidhjeve me vendet e tjera mike.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion afro 320 milionë dollarë në ndihmë të re ekonomike, të sigurisë dhe humanitare për ta ndihmuar Moldavinë. Kjo ndihmë përfshin 30 milionë dollarë mbështetje buxhetore të pakthyeshme të disbursuara që në dhjetor 2022 për blerjet e energjisë elektrike.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, SHBA në bashkëpunim me Kongresin, planifikojnë të vënë në dispozicion një shtesë prej 300 milionë dollarësh për ndihmën energjetike ndaj Moldavisë për të adresuar sfidat urgjente të krijuara nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë energjetike të Moldavisë, duke përfshirë 80 milionë dollarë të tjerë mbështetje për të adresuar kostot shtesë të energjisë.
Qëllimi i Shërbimit Shtetëror të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili është i ndarë nga ushtria moldave, është të mbrojë zyrtarët e lartë të qeverisë. Zyrtarisht, Moldavia supozohet të jetë një vend neutral. Por po flitet për ndryshimin e kushtetutës moldave, që ta lejojë atë t'i bashkohet aleancave ushtarake dhe potencialisht të anëtarësohet në NATO.
Edhe stërvitja e përbashkët ushtarake me vendet e huaja (SHBA-në dhe Rumaninë) duket se shkel dispozitat aktuale të neutralitetit. Rumania është e prirur të forcojë marrëdhëniet e saj ushtarake me Moldavinë. Bukureshti pritet të miratojë se shpejti një ligj që do ta lejojë të ndërhyjë ushtarakisht jashtë vendit.
Por veprime të tilla nuk do të kufizohen vetëm në ushtri, por mund të përfshijnë edhe lloje të tjera ndërhyrjesh për të luftuar kërcënimet hibride. Fokusi i ligjit të ri është posaçërisht Moldavia dhe Ukraina. Rumania furnizon 80-90 për qind të energjisë që konsumon Moldavia. Ajo ka ndërtuar një tubacion gazi që lidh Cisenau me Rumaninë, i financuar kryesisht nga grante dhe kredi nga komuniteti evropian. Moldavia nuk merr më gaz nga Rusia. Sipas burimeve rumune, ka 600.000 qytetarë rumunë në Moldavi (shumica me shtetësi hibride). Rumania po pozicionohet për të “mbrojtur” qytetarët e saj moldavë në rast konflikti.
Moldavia është vendi i dytë më i varfër në Evropë pas Ukrainës. Në vitin 2022, të ardhurat për frymë të Moldavisë ishin 5.688 dollarë. Ukraina e kishte vetëm 4005 dollarë për frymë (përpara luftës aktuale). Në përgjithësi, vendet e Evropës Lindore i kanë të ardhurat për frymë në nivelin 11.855 dollarë.
Territori moldav shtrihet midis lumenjve Dniester dhe Prut, një zonë e njohur dikur si Bessarabia. Shumica e popullsisë janë të krishterë ortodoksë. Dikur ka pasur një komunitet të madh dhe të zhvilluar hebre. Kishinau, kryeqyteti i Moldavisë, kishte 46 për qind të popullsisë hebreje.
Gjatë Holokaustit, rreth 380.000-400.000 hebrenj vdiqën në zonat e atëhershme të kontrolluara nga Rumania, përfshirë Bessarabinë, Bukovinën dhe Transdniestrias. Në Moldavi ka pasur një përplasje të vazhdueshme midis kampit pro-BE nga njëra anë dhe kampit pro-rus nga ana tjetër. Aktualisht në pushtet janë pro-evropianët. Ata kanë nxjerrë jashtë ligjit partitë dhe organizatat e opozitës pro-ruse dhe kanë burgosur disa nga udhëheqësit e tyre. Përveç kësaj, partia në pushtet ka mbyllur 13 televizione dhe media me arsyetimin se ishin të lidhura me Rusinë. Deri në mes të muajit mars, partia pro-BE-së në krye të qeverisë nuk i lejoi kandidatët e opozitës të konkurrojnë për zgjedhjet lokale apo kombëtare.
Një rast është ai i guvernatores aktuale të rajonit autonom Gagauzi, Evghenia Gutsul. Gagauzia është një entitet i banuar nga ortodoksë rusë dhe disa turqisht-folës në pjesën juglindore të vendit. Gutsul ishte anëtare e partisë Shor (ose Sor), një forcë politike pro-ruse që u shpall jashtë ligjit nga qeveria aktuale.
Ajo nuk u lejua të kandidonte për një mandat tjetër nën siglën e kësaj partie dhe u akuzua se ndihmoi në financimin e paligjshëm të partisë Shor. Megjithatë ajo vendosi të kandidojë për postin si “e pavarur” dhe fitoi me lehtësi. Gutsul është shumë e afërt me Moskën dhe presidentin Vladimir Putin.
Në mars, Gjykata e Lartë në Moldavi e shpalli anti-kushtetuese nxjerrjen jashtë ligjit të partisë Shor. Ndërkohë, vende të tjera po shfaqin një interes të madh për Moldavinë. Një shembull interesant: Gjermanët po e furnizojnë policinë moldave që të përforcojë kufirin me Ukrainën. Policia e lufton kontrabandën, por sipas raporteve, kritikët thonë se përpjekjet e Perëndimit kanë të bëjnë kryesisht me ndalimin e hyrjes në vend të ukrainasve që përpiqen t'i shmangen rekrutimit dhe t'i kthejnë ata në Ukrainë, ku përballen ose me burg ose dërgohen me forcë në vijën e parë të frontit për të luftuar kundër trupave ruse.
Se si një aktivitet i tillë përputhet me ligjet evropiane të të drejtave të njeriut, kjo mbetet një pyetje e hapur për debat. Edhe Franca po aktivizon njësitë kryesore të Legjionit të Huaj, shumë prej të cilave janë aktualisht pa punë pasi janë dëbuar nga disa vende afrikane.
Sipas raporteve mediatike, 1500 trupa të Legjionit të Huaj francez ka të ngjarë të dislokohen ose në Ukrainë ose në Moldavi në maj ose qershor. Presidenti francez Emmanuel Macron ka punuar këto kohë jashtë orarit zyrtar duke u përpjekur të sigurojë mbështetjen e NATO-s për ndërhyrjen në Ukrainë.
Në Transdniestria gjendet një kontigjent ushtarak rus, por ai përbëhet nga vetëm 1500 ushtarë. Po ashtu atje ka një depo të madhe municionesh ruse, diçka me shumë interes për ukrainasit që janë shumë në nevojë për to. Ushtria e Transdniestrias përbëhet nga 5.000 personel aktiv dhe 16.000 rezervistë.
Shumica e pajisjeve të saj janë të vjetruara. Sa për krahasim, Moldavia ka një ushtri prej 6.500 trupash aktive dhe 2.000 rekrutë të përvitshëm. Ajo pretendon se ka një forcë rezervë prej 65.000 trupash. Se sa e besueshme është ndonjë nga këto shifra nuk dihet.
Nëse trupat e huaja do të tentojnë të veprojnë nga Moldavia në Ukrainë, ato duhet të marrin nën kontroll Transdniestrian të vendosin forca ushtarake në Gagauzi, akt që ka të ngjarë të shkaktojë një luftë civile. Në vetvete Moldavia nuk ka ndonjë rëndësi strategjike. Megjithatë, mund të jetë një trampolinë shumë e mirë për një strategji që do të synojë qytetin jugor të Ukrainës, Odesa dhe ndoshta Krimenë e aneksuar nga Rusia. Ajo që duket se po përgatitet në Evropë është një lloj Plani B. Pra çfarë duhet bërë nëse kapitullon ushtria ukrainase.
Ekspertët evropianë dhe disa zyrtarë po mendojnë gjithnjë e më shumë se ditët e Ukrainës si një vend i pavarur mund të kenë marrë fund. Ata supozojnë se një Ukrainë mund të përbëhet në të ardhmen nga një zonë e aneksuar ruse, një regjim pro-rus në Kiev, një zonë tampon dhe Ukraina Perëndimore e pushtuar nga Polonia, pra ndarë midis fqinjëve.
Në këto kushte NATO, do të dëshironte të kishte një kundërpeshë ndaj një fitoreje të Rusisë. Kjo mund të nënkuptojë, përveç kthimit tek Polonia të qytetit ukrainas Lviv edhe një përpjekje për të mbrojtur Odesën dhe ndoshta për të kërcënuar Krimenë, të cilën rusët e konsiderojnë si territor jetik për sigurinë e tyre dhe rëndësinë e saj historike./Përshtati Pamfleti nga “Asia Times”
Shënim: Stephen Bryen, ish-zëvendëssekretar i Mbrojtjes i SHBA-së
Lini një Përgjigje