TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shkurt 2024, 12:16

Çështja “Beleri”, Noka: Rama përdori skenarin e likuidimit politik të kundërshtarit

Shkruar nga Pamfleti

Çështja “Beleri”, Noka: Rama përdori skenarin e

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, thotë se me Edi Ramën standardi i zgjedhjeve është pushkatuar.
Në një konferencë për shtyp lidhur me çështjen e Fredi Belerit, ai tha se kryeministri Rama përdori skenarin e likuidimit politik të kundërshtarit.

“Skenari i përgatitur me aq kujdes ndaj Belerit, kryetarit të zgjedhur me votë nga qytetarët e Himarës, tregon qartësisht, së bashku edhe me zhvillimet e ndodhura nga maji deri tani, që me Edi Ramën dhe regjimin e tij standardi i zgjedhjeve është jo vetëm i rrëzuar, por i vrarë e i pushkatuar. Rama funksionon me dy skenarë. E para asgjësimi i votës së lirë përmes zgjedhjes, shantazhit, krimit të organizuar, përdorimin e administratës apo dhe policisë, si në këtë rast. Kur nuk arrin më gjithë këto mekanizma të devijojë votën e lirë, përdor skenarin e likuidimit politik të kundërshtarit. Kjo është e provuar”, ka thënë Noka.

Sipas deputetit demokrat, Rama është gati të bëjë gjithçka për të mbajtur pushtetin.

Noka tha se qëllimi i tij është të fshehë batërdinë që kanë bërë me pronat dhe pronarët e bregdetit.

“Dosja Beleri tregon se Rama është gati të bëjë gjithçka për të mbajtur një pushtet, me një qëllim, të fshehë batërdinë që ai dhe qeveria e tij kanë bërë me pronat dhe pronarët e bregdetit. Beleri, do të ulej në atë karrige dhe do zbulonte zullumin e Ramës e qeverisë së tij me pronat në bregdet. Ky ishte i vetmi faj i Belerit, për të cilin ai duhet të paguajë haraçin me burg”, tha Noka.

Noka e akuzoi kreun e qeverisë edhe për kapjen e drejtësisë së re.

“Në Shqipëri Edi Rama ka kapur drejtësinë. Ajo që pritën shqiptarët, drejtësinë e re, po rezulton që edhe në rastin Beleri, por edhe në raste të tjera, pasi edhe lideri Sali Berisha është i arrestuar nga drejtësia e re, pa provë, pa fakt dhe pa akuzë. Është rast unik, por kjo është drejtësia e Edi Ramës. Ju kujtoj që drejtësia e Edi Ramës ka mbyllur sytë përballë korrupsionit madhor dhe krimit të organizuar, për t’u përdorur si hanxhar në duart e tij. Përmenda z. Berisha, por është edhe Ilir Meta me bashkëshorten, është Mediu. Është një drejtësi me regji”, tha deputeti demokrat.

 

flamur noka fredi beleri

Lini një Përgjigje