“Thesi” 6 miliarë euro i BE nuk hapet për Ballkanin Perëndimor nëse shtetet anëtare nuk plotësojnë reformat, madje edhe me ritme të shpejta për të kapur afatet e vendosura.
Kështu ka deklaruar sot Drejtori i Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman.
Në Samitin BE-Balkani Perëndimor që po mbahet në Tiranë, Koopman nënvizoi se për të marrë 6 milardë euro fonde nga Brukseli duhet ritëm i lartë reformash .
Ai u shpreh se ka mbetur vetëm një muaj kohë për mbylljen e reformave nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i grupit të BE-së për fqinjësinë dhe zgjerimin theksoi gjithashtu se duhet që edhe institucionet e pavarura të bëjnë punën e tyre.
“Së pari, udhëheqësit e pranishëm sot, para pak javësh në Shkup, kjo tregon dëshminë për angazhimin tuaj dhe ritmin e shpejtë për të cilin foli komisioneri. Për të ecur përpara, duhet që ky ritëm të jetë i qëndrueshëm dhe të udhëhiqet nga lart, që zbatimi të ndiqet. Së dyti, nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqësit, është përpjekje e të gjithë shoqërisë. Edhe institucionet e pavarura duhet të bëjnë punën e tyre për këto ndryshime përndryshe nuk do t’ja dalim mbanë. Së treti, vënia në zbatim është e vështirë, jo diçka e lehtë.
E vështirë për vendet e rajonit sepse duhet të bëjnë disa ndryshime ambicioze në legjislacion për ta përafruar atë me standartet e BE. E vështirë sepse disa nga vendet dhe nismat duhet të jenë tërësisht funksionale so CEFTA. Edhe ne duhet të jemi krah jush. Pika e katërt, është që ritmi është i lartë por na ka mbetur vetëm një muaj për të përfunduar axhendën e reformave sepse ligjvënësit duhet të miratojnë ligjet e duihura deri në fund të prillit. Cilësia duhet të jetë e lartë, ne na keni krah jush por ora po ecën. Në katër javët në vijim, duhet të kemi një produkt kaq të lartë në mënyrë që fondet të fillojnë të hyjnë në maj.”, u shpreh ai.
Edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në konferencën përmbyllëse të procesit të Samitit të Berlinit në Tiranë, u kujdes posaçërisht që të vendoste një vijë të kuqe për vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket mënyrës si do të thithin investimet dhe përfitojnë nga fondi prej 6 miliardë euro i Bashkimit Europian.
Sipas von der Leyen pa u kryer reformat e kërkuara, “thesit” të BE-së nuk do t’i hapet gryka.
“Financimi është i rëndësishëm dhe do të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër anëtarësimit dhe do ta bëjë Ballkanin Perëndimor më atraktiv për investitorët europianë. Ekonomitë e Ballkanit Perëndirmor janë sa 35% e mesatares së BE-së. Pika e katër e planit është se nëse reformat kryhen si duhet atyre do t’u bashkëngjitet një paketë prej 6 miliardë euro investime, të financuara nga Fondi Europian. Ka funksionuar mirë në Europë deri tani dhe besoj se do të funksionojë po aq mirë edhe në Ballkan. Nëse kryeni reformat dhe avanconi do të lirohen fondet.”, u tha von der Leyen liderëve të Ballkanit./ Pamfleti
Lini një Përgjigje