
Deputeti socialist Erion Braçe u ka dërguar një mesazh të gjatë bashkëpunëtorëve të tij mbrëmjen e kësaj të premteje.
Shkak u bë heqja e tij si drejtues i fushatës në njësinë 5 të Tiranës në një mbledhje të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së.
Në njësinë ku Braçe u zgjodh deputet ai do të bëjë fushatë në krah të Taulant Ballës dhe Niko Peleshit duke larguar nga kjo njësi Delina Ibrahimajn.
Këtë lëvizje Braçe e quan fyese dhe të neveritshme.
“Akti i sotem eshte i padrejte ne raport me gjithe ckam bere si drejtues e deputet ne njesine 5, reflekton mjaftueshem dyshimin ndaj meje e sjelljes sime ne zgjedhje-e neveritshme kjo por e denje fiks per ate qe e ka bere dhe perversitetin ne raportet njerezore-po e le me kaq dhe po e kursej te verteten deri ne fund e qe eshte fyese pafund! Dua tu them qe une e refuzoj kete akt!”, thuhet në mesazhin që Braçe ka dërguar e publikuar nga Lapsi.al.
Revolta e tij është me drejtuesit e PS. Ai nuk përmend emra, por zhvendosja e tij nga Divjaka në Tiranë u bë me kërkesë të Belinda Ballukut.
Tani që ajo do të drejtojë të gjithë fushatën e Tiranës duket se ka goditur sërish Braçen.
“Natyrisht, une ska gjase të bej atë që këta bënë kundër meje; e thjeshtë unë nuk jam këta, unë jam socialist! Do të thotë, do bëj fushatë cep e me cep të njësisë 5, ashtu siç di, rrugë me rrugë e sy me sy me socialistet e njerezit, duke shtrënguar duart e duke luftuar për punët!”, shkruan Braçe.
Edhe pse ishte një nga kandidatët më të votuar në listën e hapur atij nuk iu dha asnjë detyrë në qeverinë e re të PS duke e lënë një deputet të thjeshtë.
Kjo ka bërë që edhe në faqen e tij në Facebook ai të prezantojë veten jo si deputet i PS, por: “TANI I LIRË! Deputet i Tiranës, fitues me votë ne Bashkinë e madhe, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, posaçerisht në Diasporë”.
Reagimi i plotë:
MIRËMBRËMA!
Dua që të jeni mirë të gjithë!
E kisha të rëndësishme që të komunikoja me ju e disa fjalë t’ua thoja unë, duke mos i lënë hapësirë keqkuptimeve që fillojnë tani e bëjnë dëm.
Sot pasdite, u bë një mbledhje me natyrë organizative, në prag të zgjedhjeve të parakohshme për një mandat plotësues për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Sipas kësaj mbledhjeje, unë – që drejtova fushatën për zgjedhjet politike në Njësinë 5 – nuk do të drejtoj më fushatën në këtë njësi; gjithashtu Delina, që ishte prej dy vitesh në këtë njësi dhe bashkë me mua në këto zgjedhje, nuk do të jetë më këtu, duke krijuar një boshllëk të madh përfaqësimi, SI PËRHERË NË NDAJ NJËSISË 5.
Tani dua t’ju them disa fjalë:
Kur më larguan nga Divjaka – jo populli, por udhëheqësit në Tiranë – në pamundësi për të justifikuar ç’po bënin, pa asnjë arsye parimore, por thjesht e vetëm si vullnet personal, më thanë: “Kemi nevojë në Tiranë e veçanërisht në Njësinë 5.” I bindur që edhe kjo ishte një rrugëdalje kot, thashë: “Nuk dua të jem deputet, do bëj fushatë në Njësinë 5 pa qenë në listë, ua kam detyrim socialistëve në atë njësi.” Më thanë: “Jo, se pa qenë në listë s’të mblidhet njeri.” Thashë: “E provojmë, mblidhen socialistët apo jo.” Më thanë: “Shko atje, merr mandatin e pastaj bëj ç’të duash.”
Kur erdha mes jush, njoha jo vetëm gjendjen, por edhe çfarë u kishin bërë socialistëve në Njësinë 5 – gënjyer e mashtruar, abuzuar e harruar, dhunuar e përçmuar, ndarë e mbajtur qëllimisht kështu.
Bashkë me Delinën u munduam të kurojmë një nga plagët hapur në trupin e Partisë Socialiste, ballë për ballë e sy më sy, madje duke vënë veton për të përzënë autoren e autorët e gjithë kësaj gjendjeje – jo vetëm mes socialistëve, por edhe te njerëzit pashë çlirim.
Punuam bashkë, ca më shumë e ca më pak, por bashkë e me një qëllim: FITOREN E PARTISË SOCIALISTE. Koha nuk ishte e mjaftueshme për gjithçka, por bëmë ç’munduam dhe ja dolëm të thellonim diferencën me PD, partinë më të afërt rivale, e t’i hiqnim deputetin e dytë partisë BASHKË, e majta me bazë në Njësinë 5 – me zemër e pa shpenzuar një qindarkë për të blerë e poshtëruar njerëzit me çmimin e ndyrë të një vote!
Nga kjo përfitova dhe unë – u rizgjodha deputet, si më i votuari në Bashkinë Tiranë, më i votuari në Shqipëri (pa Vorën), më i votuari në Diasporë.
JU JAM SHUMË MIRËNJOHËS PËR KËTË, çdo socialisti e socialisteje në Njësinë 5 dhe kudo në Tiranë.
Unë jam i mbijetuar – më sollën këtu për të humbur e ju vetë e patë se sa e padrejtë dhe e pandershme u bë e gjitha, me të gjithë kundër.
Unë jam sot deputet falë socialistëve.
Ndaj tyre jam në borxh!
Pikërisht për të shlyer këtë borxh, kam që në shkurt – kur nisëm punë para zgjedhjeve – e deri sot (para pak, pas zgjedhjeve), TI RRI ZONËS MBI KOKË, të jem si në fushatë rrugë më rrugë, lagje më lagje, shesh më shesh, duke u marrë me ato që janë hallet e njerëzve – ujë, drita, rrugë, trotuare, plehra, hapësira publike, parkim, çerdhe, kopshte e shkolla – dhe duke i hapur telefonin gjithkujt ndër ju po e po, por edhe çdokujt tjetër që kemi banorë në njësi apo edhe më gjerë në Tiranë.
Jam shumë krenar për këtë mbi të gjitha që gjithë çfarë thamë e ndamë me njerëzit në fushatë për HAPËSIRAT PUBLIKE, u rrëmbye menjëherë, po zbatohet deri diku në territor e është në qendër të një përpjekjeje për ta kthyer në reformë.
Po ua them sot mbase është dita kam mbajtur mbi kurriz kërcënime serioze çdo ditë për çdo akt timin në korrigjim të sjelljes klienteliste, të pabarabartë e të korruptuar të inspektorëve të IMT-së në territor.
Po pa problem, unë për këtë jam të mbaj mbi kurriz edhe këto pa u ankuar kund.
Ndërkohë, për gjithçka tjetër – përfshi edhe gjëra banale si ato koshat në Selitë e deri te gjëra të rëndësishme si legalizimet, po në Selitë e kudo – kam gjetur përballë një mur të ngritur, dyer që mbyllen dhe përgjegjës gojëmbullur qëllimisht dhe e lidhur jo vetëm me kaosin në Bashkinë Tiranë, shpërfilljen e fortë ndaj detyrës e Njësisë 5 kudo, por e lidhur edhe me mua. Në fushatë i kuptova – ishin urdhëruar “mos e ndihmoni atë” – por kjo pas zgjedhjeve është një sjellje e turpshme dhe në traditën e qëndrueshme të shpërfilljes së Njësisë 5, përfaqësuesve të saj!
Nejse, KUVENDI sapo ka nisur dhe secili do kuptojë ç’do të thotë nder, respekt, punë në raport me votën e njerëzve.
Kush pengoi deri më sot e kush pengon në vijim, do jetë shembull!
Në anë tjetër, akti i sotëm është i padrejtë në raport me gjithë ç’kam bërë si drejtues e deputet në Njësinë 5 – reflekton mjaftueshëm dyshimin ndaj meje e sjelljes sime në zgjedhje – e neveritshme kjo, por e denjë fiks për atë që e ka bërë dhe perversitetin në raportet njerëzore.
Po e lë me kaq dhe po e kursej të vërtetën deri në fund, e cila është fyese pafund!
Dua t’ju them që unë e refuzoj këtë akt!
Natyrisht, unë s’ka gjasë të bëj atë që këta bënë kundër meje.
E THJESHTË: UNË NUK JAM KËTA, UNË JAM SOCIALIST!
Do të thotë: DO BËJ FUSHATË CEP E MË CEP TË NJËSISË 5, ASHTU SIÇ DI, RRUGË MË RRUGË E SY MË SY ME SOCIALISTËT E NJERËZIT, DUKE SHTRENGUAR DUART E DUKE LUFTUAR PËR PUNËT!
Sepse për mua nuk kanë rëndësi emrat – MJAFTON QË NË GARË ËSHTË PARTIA SOCIALISTE – pavarësisht kush flet në emër të saj, DHE SA KOHË AJO DO VLEJË PËR NJERËZIT!
NATËN E MIRË TË GJITHËVE DHE SHIHEMI NË RRUGË!!
Lini një Përgjigje