TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Shkurt 2026, 17:41

Epoka e Kleptokracisë

Shkruar nga Pamfleti
Epoka e Kleptokracisë
Karikatura e “Foreign Affairs” /

Shndërrimi i politikës së jashtme amerikane në një mjet për përfitime private dhe rreziku ndaj rendit demokratik global...

Analistët e kanë pasur shumë të vështirë të përshkruajnë politikën e jashtme të Donald Trump, duke e shoqëruar shpesh me termat “realizëm” apo “transaksionale”, ose “artin e marrëveshjes” si strategji kryesore.

Por këto vlerësime janë të gabuara. Ato supozojnë se qëllimi i administratës është të çojë përpara “interesat kombëtare” të SHBA-së. Në fakt, Trump e ka shkatërruar këtë premisë.

Sidomos në mandatin e tij të dytë, ai e ka përdorur politikën e jashtme kryesisht për të rritur pasurinë e tij, për të forcuar statusin dhe për përfitimet personale të një rrethi të vogël familjarësh dhe besnikësh.

Politika e jashtme amerikane është sot e nënshtruar ndaj interesave private të presidentit, duke zhbërë dallimin midis interesit publik dhe atij personal. Nën Trumpin, kleptokracia dhe ideologjia janë të ndërthurura në mënyrë të pazgjidhshme. Politologët argumentojnë se Trumpizmi është pjesë e një “vale trashëgimie” globale, ku udhëheqësit i shndërrojnë shtetet burokratike në zgjatime të autoritetit të tyre personal.

Megjithatë, prirja e Trump është specifike: ajo është kleptokratike. Në një kleptokraci, korrupsioni është vetë qëllimi. Mbajtja e detyrës shërben për pasurimin e sundimtarit. Rregullimi, zbatimi i ligjit dhe diplomacia, bëhen thjesht mjete për nxjerrjen e burimeve dhe devijimin e pasurisë drejt aleatëve privatë.

Për të mundësuar këtë model, administrata Trump ka ndërmarrë një deinstitucionalizim sistematik të aparatit të politikës së jashtme. Në vitin 2025, mbi 1.350 punonjës karriere në Departamentin e Shtetit u shkarkuan në emër të luftës ndaj “fryrjes” së burokracisë.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare u zvogëlua nga 350 në më pak se 100 njerëz, duke i kaluar kontrollin e drejtpërdrejtë Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio. Ky shkatërrim nuk është thjesht një luftë kundër “shtetit të thellë” (Deep State), por një përpjekje për të eliminuar pavarësinë teknokratike që mund të pengonte marrëveshjet private. Pa oficerë karriere dhe mbikëqyrje, politika e jashtme mbetet në duart e një grushti

miqsh. Në vend të diplomatëve profesionistë, Trump përdor lidhje personale. Steve ëitkoff, një manjati pasurive të patundshme pa përvojë qeveritare, u dërgua të negocionte me fuqitë e Lindjes së Mesme dhe Rusinë.

Jared Kushner dhe Massad Boulos (vjehrri i Tiffany Trump) luajnë role kyçe në marrëveshje strategjike që shpesh mbeten të errëta dhe pa zbulim financiar. Këto marrëveshje janë “transaksione të paketuara”, që kombinojnë investimet shtetërore, shitjet e armëve dhe përfitimet private në një paketë të vetme, duke e bërë të pamundur shqyrtimin e tyre ligjor.

Për shembull, marrëveshjet me Katarin dhe Arabinë Saudite, përfshijnë shifra marramendëse investimesh, por krahas tyre shfaqen përfitime si një avion Boeing luksoz për Trump ose plane për “Kulla Trump” në Dubai.

Kjo qasje ka asgjësuar përpjekjet disa dekadëshe të Uashingtonit për të luftuar korrupsionin global. Në shkurt 2025, administrata ndaloi zbatimin e Aktit të Praktikave të Huaja Korruptive, duke u dhënë dritë jeshile kompanive amerikane për të marrë ryshfete jashtë vendit.

Njëkohësisht, u dobësuar Akti i Transparencës së Korporatave dhe u hoq mbikëqyrja mbi kriptomonedhat, një industri që lehtëson pastrimin e parave. Trump ka përdorur edhe fuqinë e faljes për të çmontuar normat.

Operatorë të tregjeve të drogës në internetin e errët dhe udhëheqës të huaj të dënuar për trafik droge u falën, duke dërguar mesazhin se rregullat nuk vlejnë më për miqtë e presidentit.

Marrëveshjet e nxituara dhe pa mbikëqyrje kanë tendencë të dështojnë gjeopolitikisht. Armëpushimi në Kongo apo deklaratat e përbashkëta në Azinë Juglindore nuk sollën paqe, por thjesht mundësi për biznes.

Ky model e bën SHBA-në të ngjashme me Kinën në mënyrën se si negocion, duke kombinuar investimet qeveritare me marrëveshje anësore për elitat. Megjithatë, ndryshe nga Kina që investon në qeverisje teknokratike dhe arsim, administrata Trump po saboton avantazhet kryesore amerikane: rrjetin e aleancave dhe imazhin e qeverisjes së mirë.

Edhe pas largimit të tij në vitin 2029, dëmi ndaj institucioneve do të kërkojë të paktën një dekadë për t'u riparuar. Bashkimi i kleptokracisë me ekstremizmin e djathtë e bën korrupsionin më të qëndrueshëm.

Figura si J.D.Vance dhe Stephen Miller, kanë një vizion etno-nacionalist që kërkon shkatërrimin e institucioneve liberale. Në këtë simbiozë, ideologët shërbejnë si mburojë politike për kleptokratët në këmbim të pushtetit për të zbatuar axhendat e tyre reaksionare.

Kjo krijon një cikël vicioz ku korrupsioni jashtë vendit ushqen korrupsionin brenda SHBA-së, duke i bërë institucionet demokratike gjithnjë e më të brishta. Vendet e Bashkimit Evropian dhe aleatët e tjerë, duhet ta trajtojnë këtë regjim si një rrezik të menjëhershëm.

Ata duhet të mbyllin boshllëqet që lejojnë kleptokratët të pastrojnë paratë dhe të mos tërhiqen para kërcënimeve për hakmarrje. Duke pasur parasysh se Kongresi nuk ka gjasa të ndërhyjë, dëmi do të vazhdojë të përshpejtohet.

Por analistët mund të bëjnë një gjë: të ndalojnë së quajturi këtë politikë si “realizëm” apo “konkurrencë midis fuqive”. Politika e jashtme e Trump nuk është strategji shtetërore.

Ajo është një kërcënim ekzistencial për republikën kushtetuese amerikane dhe mbijetesën e demokracive në mbarë botën. Çdo përpjekje për ta normalizuar këtë realitet, vetëm sa e përkeqëson rrezikun./Përgatiti Pamfleti nga “Foreign Affairs”

epoka e kleptokracisë

1 Komente

  1. g
    gaziani

    prandaj tek BORDI I PAQES shkuan ca njerez gjoja lider periferike, problematike, te korruptuar si lideri yne, qe kane shkaterruar vendin e tyre negociatore medioker te korruptuar, te etur per para e pushtet shkoi netanjahu qe shkaterroi Gazen TURP nuk ishte ftuar Palestina

    Lini një Përgjigje