Po hetohet nëse ka pastruar dhe me 4 bizneset e tjera të ish-ministrit Edmond Haxhinasto, por edhe nëse brenda tyre janë faturuar miliona të Ilir Metës e krushkut Nasip Naço...
U tha se më 12 nëntor 2024, ish-ministri i LSI, Edmond Haxhinasto u thirr në SPAK, vetëm për bisedat me Monika Kryemadhin, kushëririn e saj biznesmen Adrian Shatku dhe Piro Xhixhon e AKEP, lidhur me pazarin për t’i rrëmbyer monopolin e fibrave optike Bashkim Ulajt.
Për bisedat me Kryemadhin, Shatkun e Xhixhon, ish-ministri Edmond Haxhinasto është pyetur 1 orë; ndërsa 3 orë të tjera është pyetur për miliona Euro të fshehura, të qarkulluara dhe investuara në ndërtime brenda e jashtë Shqipërisë.
Për këto investime, SPAK ka marrë indicie dhe nga denoncimi që bëri “Pamfleti” më 13 gusht 2024, se Edmond Haxhinasto po ndërton dy pallate në Torino të Italisë, nëpërmjet kompanisë “AIRfire Albania Sh.p.k”.
Kjo kompani me kapital 1000 Euro, u krijua më 30 shtator 2022, me ortakë Eliza Haxhinaston, vajza e Edmond Haxhinastos dhe nuse e djalit të Nasip Naços, si dhe Indrit Hoxha, Sekretari për Diasporën në PD, Bardhok Doda, kryetar i degës së PD në Romë e italiani Andrea Evangelisti.
Faktikisht, BKH ka gjurmuar dhe po heton prej 3 vitesh pasuritë e Edmond Haxhinastos, kur ai transferoi 2 milionë Euro pasuri e vlera monetare te vajza e tij Eliza Haxhinasto, që në atë kohë kishte marrë mbiemrin “Naço”, martuar me djalin ish-ministrit të LSI, Nasip Naço.
Sipas të dhënave hetimore që ka grumbulluar BKH, për të cilat Edmond Haxhinasto u pyet 3 orë më 12 nëntor 2024, rezulton se në shtator 2021 krijoji fondacionin “Holicons”, me objekt financime e trajnime të subjekeve që investojnë brenda e jashtë Shqipërisë në çdo sektor.
BKH ka konstatuar, se nëpërmjet këtij fondacioni, ish-minitri Edmond Haxhinasto, ka qarkulluar 15 milionë Euro në blerje pasuri të paluajtshme dhe në biznes ndërtimi e energjie, nëpërmjet kompanive me pronar të besuar, të cilëve u ka dhënë tenderë rrugësh, koncesione energjie e licenca transporti kur ishte ministër.
Në datën 8 shkurt 2024, Edmond Haxhinasto bashkë më vajzën Eliza Haxhinasto, krijoi firmën “EHN Advisory”, me objekt krijim, grumbullim e menazhim fondesh financiare, konsulencë dhe aktivite të çdo lloji, brenda e jashtë Shqipërisë.
Katër ditë pas krijimit, i ndryshoi emrin, duke ia vënë “EHN Group” dhe i shtoi si objekt shërbime, guida e transporte turistike brenda e jashtë vendit, shitblerje pronash, katering, menaxhim i qirave të bujtinave e apartamenteve, ndërsa pas 2 javësh, Edmond Haxhinasto i dhuroi 25% aksione gruas Enkeleida Haxhinasto dhe e ktheu në fondacion pa tatime.
Hetimet e deritanishme, kanë zbuluar se me kompaninë “EHN Group”, de-facto fondacion në pronësi të Edmond Haxhinastos, bashkëshortes e vajzës, të regjistruar si degë partnere e fondacionit “Holicons”, ai ka grumbulluar e qarkulluar 11 milionë Euro.
Nuk dihet, nëse brenda vlerës 26 milionë Euro që ka grumbulluar e qarkulluar në investime ish-ministri Edmond Haxhinasto, janë dhe miliona të Ilir Metës e krushkut Nasip Naço.
Por dihet, që në skanerin e hetimit të tij pasuror për pastrim të parave të korrupsinit, janë futur dhe 4 kompanitë e tjera të tij “Fleeville”, “Grifal”, “AIRfire Albania” e “Prolink”./Pamfleti
Lini një Përgjigje