TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Mars 2025, 18:43

Edi Rama fut në ankth deputetët para 11 marsit: Tre skenarët e listës së re të PS!

Shkruar nga Pamfleti

 

Edi Rama fut në ankth deputetët para 11 marsit: Tre skenarët e
Edi Rama /

Babloku: O me mua, o kundër meje!

Ka disa javë që situata në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, është më shumë se kaotike. Edhe pse nën një regjim “kazerme” të vendosur prej më shumë se 1 dekade e gjysmë, ka sinjale që stresi i madh shfryn tensionet e veta si një tenxhere presioni, ku valvula e avullit, nuk është hapur nga “shefi i madh”.

Edhe pse të angazhuar në fushatë, e ku nuk mungojnë t’i bëjnë ‘share’ dhe ‘like’ postimeve të Edi Ramës, apo për të nxjerrë foto nga takimet me bazën, nuk rreshtin fjalët nëpër korridore se “shefi do pastrojë listën”.

E nga ky stres, ka deputetë që kanë mërmëritur një gjysmë apo një frazë të plotë për të dhënë një sinjal. Natyrisht sipas peshës. Dikush publikisht, e dikush duke përdorur telefonin e prishur të dallaveraxhinjve që përhapin dizinformacione që dalin nga “shefi i kuzhinës”.

Në këtë rast, të parët që mund të flasin, janë ata që e kanë bërë gjithmonë, e kanë komoditetin për të dhënë opinionin e tyre sado të kadifenjtë.

Petro Koçi, një senator socialist, jo i vlerësuar siç duhet, shpërndau një mesazh të rëndësishëm për atë që duhet ta lexonte para pak javësh.

“Lista e hapur në një sistem propocional rajonal dhe jo kombëtar, me paracaktimin që zgjedhësi voton vetëm një kandidat dhe jo disa alternativa kandidaturash si në Kosovë, është në fakt rruga e hapur e kapjes së sistemit, partive dhe parlamentit nga llumi, paraja, edepsëzët dhe korrupsioni”.

Kush di ta lexojë, sheh te postimi i Petro Koçit, një sinjal të koduar drejt Edi Ramës. Mesazhi i parë është mos na sill kandidatë nga jashtë që nuk kanë lidhje me partinë edhe pse kanë para, dhe e dyta, mirato një listë përcaktuese në kufinjtë e sigurisë, që të jetë e qartë dhe e pranuar nga të gjithë.

Petro Koçi e tha hapur, por në grupin parlamentar ky ankth është kapilar. Sidomos në ata deputetë që nuk kanë rrjetin e njohur të “xhepit të fshehtë”.

Çfarë është “xhepi i fshehtë”?

Eksponentë të asaj që quhet Partia Socialiste alternative, alias të fortët e politikës për ta thënë më butë; si Toma, Qifja, Omer Lala me shokë kanë përdorur një skemë perfekte. Çdo organizate socialiste u kanë kërkuar nga 2-3 vota, duke shpërblyer mirë “organizatorin”, ndërkohë që pjesën tjetër e kanë marrë ose në terrenin armik ose në atë neutral. E kjo ka arritur që të jenë në ‘pole position’ në krahasim me deputetët socialistë.

Përveç krerëve të qarqeve që kanë bërë marrëveshje të fshehta me nëntokën, e për këtë janë nën hetim. Si Jurgis Çyrbja apo edhe një njeri shumë afër Edi Ramës, bomba e të cilit pritet të plasë këto ditë nga SPAK.

E pikërisht për këtë, Edi Rama, ka elaboruar në strategji, ku do të përmbysë të gjithë piramidën politike të kandidatëve të PD.

Zërat flasin për një ndryshim në 70% të të gjithë listës, kryesisht në Tiranë, Dibër, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë dhe Korçë, ku flitet për një mos kandidim të vipave, edhe të ministrave të Edi Ramës.

Këto zëra kanë shtuar një stres të madh, madje në mjediset e brendshme po qarkullon një listë që flet për një zëvendësim epokal të skuadrës socialiste më 11 maj. Të cilën Edi Rama më 11 mars do ta prezantojë si “Lista e BE-së”.

Temperatura është e lartë, e deputetët aktualë janë të gjithë në miza. Mesazhi paraprak që ka qarkulluar, ka qenë: kush është nën hetim apo nën mundësi hetimi, as të mos e mendojë kandidimin.

Dikush, i ka dërguar një mesazh të kryqëzuar bablokut, po nëse je ti? E përgjigja ka qenë e egër në një takim në selinë e PS: atëherë rrëzohet gjithçka: o me mua, o kundër meje!/ Pamfleti

Lini një Përgjigje