
Mbi 232 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ndërkohë rreth 45 mijë kërkesa që u refuzuan për shkak të problemeve teknike në plotësimin e formularëve nuk do të merren më në shqyrtim pasi nuk u arrit shtyrja e afatit.
Por nga cilat vende kanë aplikuar shqiptarët për të pasur të drejtën e votës?
Referuar të dhënave zyrtare nga KQZ, aplikimet janë realizuar nga 107 shtete, por pjesa më e madhe e aplikantëve i përkasin Europës.
Kështu Italia ka numrin rekord me mbi 148 mijë kërkesa. Pas saj vjen Greqia me 103 mijë dhe Gjermania me rreth 36 mijë.
Nga Britania e Madhe kanë aplikuar rreth 20 mijë shqiptarë, ndërsa nga SHBA janë plot 245 mijë kërkesa. Pjesa më e madhe e këtyre kërkesave janë refuzuar pasi aplikantët nuk kanë pasur asnjë dokument identifikues shqiptar.
Aplikime për regjistrim janë kryer edhe nga shqiptarët e Francës, Belgjikës, Kanadasë, Suedisë, Zvicrës, Austrisë, Maltës, Spanjës, apo Australisë.
Kërkesa për regjistrime, shumë të pakta në numër, sa mund të numërohen me gishtat e një dore, ka edhe nga vende si Ishujt Solomon, Gaboni, Peruja, Eritrea, Ishujt Kuk dhe Ishujt Kajman. Dhe gjithashtu aplikime ka pasur edhe nga Xhamajka, Hondurasi, Zambia, Bermuda, Uruguaj, Maldive, Territori Palestinez.
Lini një Përgjigje