Reagimet e Greqisë për Belerin janë “prerë me thikë” që kur nisi censusi i popullsisë. Ka shumë ekspertë që shprehen se "lufta" e Greqisë ishte për Censin dhe nuk ka të bëjë me Belerin si individ...
Kreu i OMONIA-s dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, duhet t’i dalë për zot vetes përballë drejtësisë. Shpresat e tij ishin tek Athina, por duket se gjithçka ka filluar të venitet. Në momentin që Beleri u arrestua, Athina u investua fuqishëm. Si qeveri ashtu dhe opozitë atje çfarë nuk thanë, duke tentuar të fitojnë pikë para zgjedhjeve në Greqi. Më pas retorika nisi të binte dhe duket se tani Greqisë nuk i intereson më Fredi Beleri.
Ky i fundit ndodhet në burg dhe po rropatet gjyqeve, por prej disa javësh reagimet e Athinës janë ndërprerë. Ajo që e tregon qartë një gjë të tillë janë dy zhvillime që kanë ndodhur dje dhe sot.
Dje u mbajt në Granada të Spanjës, Samiti i tretë i Komunitetit Politik Evropian, ku morën pjesë liderët e BE dhe të Ballkanit. Aty ishin kryeministri shqiptar, Rama dhe ai grek, Mitsotakis. Ky i fundit foli gjatë për Ballkanin dhe hodhi kunja në fjalën e tij, por në asnjë moment nuk e përmendi Fredi Belerin.
“Për Greqinë nuk ka përjashtime nga rregullat bazë të shtetit të së drejtës. Unë nuk po fotografoj asnjë vend në veçanti dhe ata e dinë që duhet të bëjnë përpjekjet e nevojshme që në fund të mund të pretendojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ky diskutim i zgjerimit të madh na detyron të fillojmë përsëri të rivlerësojmë mënyrën se si funksionon vetë bashkimi dhe çështjet e rëndësishme të buxhetit, pasi hyrja e vendeve më të varfra padyshim do të kërkojë më shumë burime”, tha ai.
Rasti tjetër është se në Tiranë sot ishte ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis. Ai mori pjesë në samitin e Ministrave të Jashtëm të mbajtur në vendin tonë. Në raportimet e deritanishme të mediave greke, ai ka zhvilluar takime me Vangjel Dulen e PBDNJ dhe me kryepeshkopin Janullatos. Në asnjë moment, të paktën deri tani, nuk ka pasur një koment apo reagim për Fredi Belerin. Edhe në Samit ai nuk e ngriti fare si shqetësim. Edhe në njoftimin e takimeve me Dulen e Janullatosin nuk përmendet fare. Po ashtu nuk ka pasur asnjë takim me Belerin.
Nëse shihet me kujdes, duket se reagimet e Greqisë për Belerin janë “prerë me thikë” që kur nisi censusi i popullsisë. Ka shumë ekspertë që shprehen se lufta e Greqisë ishte për Censin dhe nuk ka të bëjë me Belerin si individ. Grupet e anketimit zgjidhen nga bashkitë dhe ka pasur zëra se skenari ishte që përmes Belerit, të dilte që Himara është mbushur me grekë.
“Rezulton se në zonat ku ka minoritet grek, niveli nuk e kalon 15%. Janë në nivelin 14.8% në Himarë dhe 12% në Konispol. Ndërkohë që me 20% do të bëheshin bashkim minoritar. Ligji për pakicat përcakton se bashkitë me 20%, e cila i përket komunitetit, duhet të ketë tabela dy-gjuhëshe, shkolla dy-gjuhëshe, të ngrihet flamuri grek, krah atij shqiptar. Beleri mua më rezulton si një person i ndërlidhur. Sepse në 3 vitet e fundit ai ka pasur akses të japë pasaporta. Këtë herë në Himarë kanë ardhur 62% më shumë se popullsia banuese, që është dyfishi i herës më të lartë i emigrantëve që kanë ardhur për të votuar dhe trefishi i mesatares së emigrantëve që kanë ardhur për të votuar. Dhe kjo ndodh në prag në censit, që është një betejë për të kapur 20%” tha Ardit Bido, kreu i Arkivave, pak ditë më parë.
Aktualisht censusi ka nisur dhe grupet e anketimit janë zgjedhur. Pra duket se nuk ka kthim pas kjo punë dhe në të njëjtën kohë reagimet e Athinës kanë pushuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje