
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka treguar disa detaje të reja në lidhje me Dan Hutrën, autorin e vrasjes së tre grave. Sipas tij referuar informacioneve kriminale, ky person dyshohet edhe si vrasës me pagesë, teksa shtoi se Hutra punon për një organizatë transnacionale kriminale.
Sipas Karamuços, nëse Dan Hutra nuk do ishte arrestuar do të kryente vrasjen e katërt dhe më pas do digjte makinën dhe më pas do të udhëtonte me mjet të transportit urban për në veri të vendit dhe nga andej do të shkonte në Kosovë.
“Ka një skedë shumë të zgjeruar në sistemet tona të informacionit kriminal. E para ky person ka dy tentativa për arratisjen nga burgjet, në njërin prej tyre ka organizuar bashkë me disa të tjerë dhe nga informacionet e policisë ky është pjesëtar i një organizate kriminel që një pjesë ndodhet në burg dhe një pjesë tjetër është jashtë burgut. Tjetër, dyshohet se është vrasës me pagesë dhe është pjesë ose punon për një organizatë transnacionale në Evropë. Këto janë nga sistemet, janë të rezervuar.
Ky person nëse nuk do kishte kontaktuar me një dyqan nuk do ishte zbuluar vendndodhja e tij, do kishte pritur të ekzekutonte edhe personin e katër, do kishte djegur makinën , do ishte larguar me automjete të transportit publik në drejtim të veriut dhe do ishte hedhur matanë në Kosovë. Ky ishte plani për tu larguar.
Ka pasur një fat të madh policia, sepse kur është arrestuar armën nuk e kishte me vetë, e kishte lënë në makinë, sepse edhe mund të reagonte.
Edhe një element që nuk e kemi thënë, nëse ky do ta planifikonte sulmin natën ku do ishte me e lehtë do kishte gjetur më shumë persona në banesë, edhe meshkuj ata që kërkonte më shumë. Rezulton se nga të gjitha planet që mund të bënte ky person mund të kishte vrarë 8 veta, është e llogaritur të vriste 8 veta dhe frika e vetme ka qenë RENEA”, tha Karamuço për emisionin “Log.”
Lini një Përgjigje