Osmani takime me një sërë zyrtarësh të lartë, ndërsa Rama u kthye me duar në xhepa...
Pavarësisht se Edi Rama e trumbetoi me të madhe pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe deputetët e tij e shitën si një epokë të re në marrëdhëniet me SHBA-në, në fakt, faktet flasin ndryshe. Izolimi për Edi Ramën vijon. Mjafton të shohim Vjosa Osmanin për të kuptuar se sa i izoluar ka qenë Edi Rama gjatë vizitës në SHBA.
Dje raportuam se Osmani u prit në një takim me Sekretarin Marco Rubio, por ai nuk ka qenë takimi i vetëm, pasi lista është e gjatë. Presidentja Osmani, po ashtu, është takuar me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan. Ajo, me këtë rast, është takuar gjithashtu me Drejtorin e Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Këshilltarin Special të Presidentit Trump, Charles McLaughlin, si dhe me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Daniel J. Lawton.
Në kuadër të takimit inaugurues të Bordit të Paqes, Presidentja zhvilloi bashkëbisedime me liderë të shumtë botërorë.
Ndërkohë, Edi Rama të vetmen arritje kishte bisedën 40 sekondëshe me Trump dhe një vizitë në Këshillin e Atlantikut.
Trump ka mbi 1 vit në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe Rama nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare në DASH, teksa edhe në Tiranë është injoruar shpesh nga amerikanët. Në nëntor erdhi në Tiranë Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Mark Fleming. Ai zhvilloi shumë takime, por Ramën e injoroi.
Ditët e fundit ishte në Tiranë Drejtori i Zyrës për Evropën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski. Ai takoi Presidentin, krerët e SPAK, BKH dhe shumë të tjerë, por jo Ramën.
Mirëpo goditja më e madhe i ka ardhur Edi Ramës pak ditë më parë. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë uroi krijimin e qeverisë së re të Kosovës. Edhe pse ka pasur shumë përplasje me Kurtin dhe madje është kërcënuar disa herë me sanksione, SHBA-ja sërish i ka shtrirë Kurtit dorën e bashkëpunimit. Madje edhe Rubio sot deklaroi se ata do të punojnë me qeverinë e re. Ndërkohë, Ramën nuk e uroi askush.
Pra, Ramës i “rroftë” Bordi i Paqes, pasi duket qartë se amerikanët nuk e përfillin shumë. Edhe pas Bordit, me shumë gjasë, fshihen interesa të tjera dhe nuk është çudi që Shqipëria të mbushet me palestinezë. /Pamfleti
Na kenaqet, ndonje lajm tjeter a keni?